Muzikë

11-vjeçari Triumf Lupçi shkëlqen në arenën ndërkombëtare të pianos, ftohet të performojë në Mozarthaus të Vjenës

Talenti shqiptar, i lindur në Austri dhe që jeton në Kosovë, vazhdon të korrë suksese në garat ndërkombëtare, duke fituar çmime dhe ftesa për koncerte në skenat më prestigjioze të Evropës.

Një tjetër histori frymëzuese suksesi vjen nga bota e muzikës klasike. Triumf Lupçi, 11-vjeçar i lindur në Vjenë dhe që jeton në Kosovë, po dëshmon talentin e tij të jashtëzakonshëm në skenën ndërkombëtare të pianos, duke u renditur ndër pianistët e rinj më premtues shqiptarë, shkruan albinfo.at.

Së fundmi, Triumfi shënoi një tjetër sukses të rëndësishëm në Austri, ku u vlerësua në një garë prestigjioze të pianos. Falë interpretimit të tij artistik, ai fitoi ftesën për të performuar në Gala Koncertinqë do të mbahet në muajin nëntor në Mozarthaus në Vjenë, një prej skenave më të njohura të muzikës klasike.

 

 

Ky sukses i shtohet një sërë arritjesh të rëndësishme në gara kombëtare dhe ndërkombëtare. Deri më tani, Triumfi ka fituar çmime në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Poloni, Itali, Spanjë, Austridhe Mbretërinë e Bashkuar, duke dëshmuar vazhdimisht nivel të lartë artistik.

Në muajin prill të këtij viti, ai ishte i ftuar të interpretonte në një Gala Koncert në Madrid, ku prezantoi talentin e tij para publikut ndërkombëtar.

 

 

Pianisti i ri është gjithashtu pjesë e Piano Balkan Academy “Sigismund Thalberg”, ku përfundoi vitin e parë akademik në programin Virtuoso – Piano me notën maksimale 10.10. Në këtë akademi ai udhëhiqet nga pianisti dhe profesori italian Giuseppe Devastato.

Falë rezultateve të shkëlqyera, Triumfi është vlerësuar me certifikata ndërkombëtare, ka fituar bursë për të vazhduar studimet në Trinity College London dhe ka marrë ftesa për të performuar në koncerte në Romë dhe Vjenë, duke konfirmuar potencialin e tij si një pianist me të ardhme të ndritur, shkruan tutje albinfo.at.

 

 

Krahas angazhimeve ndërkombëtare, ai është nxënës i klasës së katërt në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Kosovë, ku ndjek mësimet e pianos nën udhëheqjen e profesoreshës Besjana Tishukaj. Në zhvillimin e tij artistik ka dhënë kontribut të rëndësishëm edhe profesori Fatbardh Dubovci, mbështetja e të cilit ka qenë e vlefshme në rrugëtimin e tij drejt sukseseve.

Përveç interpretimit në piano, Triumf Lupçi ka shfaqur interes të veçantë edhe për kompozimin muzikor. Synimi i tij është që në të ardhmen të zhvillohet jo vetëm si pianist koncertesh, por edhe si kompozitor, duke krijuar veprat e tij origjinale.

 

 

Me dhjetëra çmime ndërkombëtare, ftesa për të performuar në skena prestigjioze evropiane dhe një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj muzikës, Triumf Lupçi po ndërton një karrierë premtuese dhe po e prezanton me dinjitet talentin shqiptar në arenën ndërkombëtare./Albinfo.at