Shqipëria

Shqipëria, gjithnjë e më e preferuar nga turistët e huaj

Gjithnjë e më shumë turistë të huaj zgjedhin Shqipërinë për pushime

Shqipëria vazhdon të forcojë pozicionin e saj si një nga destinacionet turistike më tërheqëse në rajon, me vizitorët nga Evropa që përbëjnë pjesën dërrmuese të turistëve të huaj gjatë këtij sezoni veror, përcjell albinfo.ch.

Sipas një sondazhi të realizuar me 1,000 turistë të huaj, 83 për qind e vizitorëve që kanë zgjedhur Shqipërinë vijnë nga vendet evropiane. Ndërkohë, turistët nga Azia përbëjnë 8 për qind të të anketuarve, ndërsa pjesa tjetër ndahet mes Amerikës së Veriut, Amerikës së Jugut, Oqeanisë dhe Afrikës.

Franca renditet e para për numrin e turistëve të intervistuar, duke zënë 17 për qind të totalit. Pas saj vijnë Italia me 13 për qind dhe Gjermania me 12 për qind, duke dëshmuar interesin në rritje të këtyre tregjeve për turizmin shqiptar.

Në mesin e vendeve me numër të konsiderueshëm vizitorësh janë edhe Mbretëria e Bashkuar me 8 për qind, Polonia me 6 për qind dhe Holanda me 4 për qind. Turistët nga Spanja, Turqia dhe Australia përfaqësojnë secili nga 3 për qind të të anketuarve.

Ndërkohë, Belgjika, Danimarka, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria dhe Republika Çeke përbëjnë secila nga 2 për qind të kampionit.

Sipas sondazhit, vizitorë kanë ardhur edhe nga Ukraina, Lituania, Kanadaja, Arabia Saudite, Austria, Brazili, Estonia dhe Zvicra, të cilat përfaqësojnë nga 1 për qind secila. Gjithashtu, 12 për qind e të anketuarve janë përfshirë në kategorinë “të tjerë”, ku bëjnë pjesë shtete me përfaqësim më të vogël.

Rezultatet e sondazhit tregojnë se Evropa mbetet burimi kryesor i turistëve që zgjedhin Shqipërinë, ndërsa interesi nga tregje të reja ndërkombëtare po vazhdon të zgjerohet, duke kontribuar në rritjen e turizmit dhe promovimin e vendit si një destinacion gjithnjë e më të preferuar. /Albinfo.ch