Gjykata Kantonale e Schaffhausen-it e ka liruar nga akuzat për diskriminim dhe nxitje të urrejtjes influencuesin e njohur Mirco Casorelli. Zyra e prokurorit publik e kishte akuzuar atë për abuzim racor ndaj lojtarëve të kombëtares zvicerane të futbollit.
Kryetari i trupit gjykues njoftoi lirimin nga akuzat pas një seance relativisht të shkurtër dëgjimore të premten, tranmseton albinfo.ch. Në këtë mënyrë është rrëzuar urdhri penal i lëshuar kundër Casorellit nga zyra e prokurorit publik të Schaffhausen-it në dhjetor 2024, shkruan Keystone – SDA.
Zyra e prokurorit e kishte dënuar influencuesin e Schaffhausen-it me një gjobë me kusht dhe një dënim.
Urdhri penal rrjedh nga videot “Singkontrolle” (kontrollimi i të kënduarit) në të cilat Casorelli kishte bërë vërejtje përçmuese për lojtarët me prejardhje të huaj, të kombëtares që nuk kënduan himnin kombëtar para një ndeshjeje.
Casorelli, i cili njihet me emrin “Bireweich” në mediat sociale, pretendon se videot janë satirë. Sipas tij, këto ishin parodi satirike të një videoje nga një palë e tretë e panjohur, në të cilën lojtarët me prejardhje të huaj në të vërtetë fyheshin në mënyrë raciste. “Po tallem me një zviceran që rri në baltë,” tha Casorelli. Avokati i tij kërkoi lirim nga akuzat.
Vendimi i gjykatës kantonale nuk është ende ligjërisht i detyrueshëm.