Fluturimet në Aeroportin e Munihut janë pezulluar të shtunën në mëngjes, pasi autoritetet gjermane morën raportime për praninë e një droni në afërsi të aeroportit, transmeton albinfo.ch.
Sipas raportimeve të Reuters, rreth orës 09:00 aeroporti u ndal plotësisht, duke bërë që asnjë fluturim të mos mund të operonte.
Një numër i madh i forcave policore janë angazhuar në terren, ndërsa autoritetet po hetojnë rastin dhe po kërkojnë pajisjen fluturuese të dyshuar. Ende nuk është bërë e ditur se sa do të zgjasë pezullimi i trafikut ajror.
Një zëdhënës i Policisë tha se dy pilotë kishin raportuar se kishin vërejtur një dron gjatë fluturimit.
“Në koordinim me kontrollin e trafikut ajror, autoritetet e sigurisë vendosën të mbyllnin pistat”, deklaroi ai.
Ky nuk është rasti i parë i tillë në Aeroportin e Munihut. Në tetor të vitit të kaluar, aeroporti ishte mbyllur dy herë brenda 24 orëve për shkak të raportimeve të ngjashme për dronë të dyshimtë pranë zonës së operimit të avionëve./Albinfo.ch