Lajme

Zjarr në muzeun e çokollatës, evakuohen 150 vizitorë

Sipas gjetjeve fillestare nga policia kantonale e Fribourgut, gjithçka tregon për një shkak teknik të zjarrit. Nuk ka të lënduar

Një zjarr ka shpërthyer në fabrikën e çokollatës Cailler në Broc, në kantonin e Fribourgut, sot, të Premten e Madhe. Zjarri filloi në mëngjes në një makinë në zonën e prodhimit.

Sipas gjetjeve fillestare nga policia kantonale e Fribourgut, gjithçka tregon për një shkak teknik të zjarrit, transmeton albinfo.ch.

Si masë paraprake, rreth 150 vizitorë u detyruan të largoheshin nga muzeu ngjitur, i njohur me emrin “Maison Cailler”, shkruan srf.ch. Brigada e zjarrfikësve arriti ta vinte shpejt nën kontroll zjarrin dhe ta parandalonte përhapjen e tij në objekte të tjera.

Askush nuk u lëndua, por tre persona u ekzaminuan në vendngjarje nga paramedikët.

Shkalla e dëmit të pronës nuk dihet ende.