Sporte Luftarake
Distria Krasniqi rikthehet në Paris, synon medaljen e dhjetë
Distria, favoritja kryesore në Grand Slamin e Parisit
Xhudistja kosovare Distria Krasniqi do të rikthehet këtë të shtunë në një nga arenat më të njohura për të, kur të garojë në Grand Slamin e Parisit, një prej garave më prestigjioze të xhudos botërore, përcjell albinfo.ch.
Krasniqi ka një histori të jashtëzakonshme në kryeqytetin francez, ku deri më tani ka fituar nëntë medalje. Tetë prej tyre i ka siguruar pikërisht në Grand Slamin e Parisit, ndërsa medaljen e nëntë – të argjendtë – e fitoi në Lojërat Olimpike “Parisi 2024”. Edhe pse gara olimpike u zhvillua në një arenë tjetër, atmosfera madhështore e publikut parisien mbeti e njëjtë.
Grand Slami i Parisit mbahet tradicionalisht në “Bercy Arena”, ku zakonisht mblidhen mbi 15 mijë shikues. Distria e përjetoi për herë të parë këtë atmosferë në vitin 2014, kur në debutim u rendit e pesta, rezultat që u konsiderua i jashtëzakonshëm për një xhudiste të re. Të njëjtin plasman e arriti edhe në vitin 2015, ndërsa në vitin 2016 nuk mori pjesë.
Medaljen e parë në këtë garë Krasniqi e fitoi në vitin 2017, kur u stolis me të bronztën. Ajo përsëriti suksesin edhe në vitin 2018, ndërsa në vitin 2019 arriti në finale dhe fitoi medaljen e argjendtë. Në vitin 2020, për herë të parë në Paris, ajo fitoi medaljen e artë.
Pas mungesës së ekipit kosovar në edicionin e vitit 2021, Distria u rikthye fuqishëm duke fituar medalje të argjendtë në vitin 2022 dhe të artë në vitet 2023 dhe 2024. Në edicionin e fundit, ajo fitoi medalje bronzi. Bilanci i saj në këtë garë prestigjioze përfshin tri medalje të arta (2020, 2023, 2024), dy të argjendta (2019, 2022) dhe tri të bronzta (2017, 2018, 2025).
Në edicionin e sivjetmë, Krasniqi është bartësja e parë në kategorinë deri në 52 kilogramë. Ajo do ta nisë garën nga raundi i dytë, ku do të përballet me fituesen e duelit mes Alicia Marques nga Franca dhe Tereza Bodnarova nga Çekia. Sipas pritshmërive, ajo mbetet një nga pretendentet kryesore për medalje.
Në Grand Slamin e Parisit marrin pjesë gjithsej 488 xhudistë nga 78 shtete të botës. Kosovën, përveç Distrisë, e përfaqësojnë edhe Erza Muminoviq (deri 48 kg), Fationa Kasapi (52 kg), Flaka Loxha (57 kg), Laura Fazliu (63 kg) dhe Akil Gjakova (73 kg), të cilët do të garojnë po ashtu të shtunën.
Pretendentë seriozë për medalje konsiderohen edhe Laura Fazliu dhe Akil Gjakova, ndërsa garuesit e tjerë synojnë paraqitje sa më të suksesshme.
Trajneri i ekipit të Kosovës, kryemjeshtri Driton Kuka, e ka vlerësuar Grand Slamin e Parisit si një nga garat më të forta në kalendarin e xhudos botërore.
“Është gara më e fortë e xhudos, pas Kampionatit Botëror. Marrim pjesë gjithmonë për shkak të rëndësisë që ka. Synojmë paraqitje të mira, siç kemi bërë vazhdimisht. Megjithatë, fokusi ynë këtë vit mbetet Kampionati Evropian, Botërori dhe fillimi i ciklit kualifikues për Lojërat Olimpike 2028, i cili nis në qershor”, ka deklaruar Kuka.
Të tjera nga Sporte Luftarake
E-Diaspora
-
Neurokirurgu shqiptar Valon Baraliu në Gjermani: “Në neurokirurgji, puna bëhet emër” Nga Kosova drejt një karriere profesionale në Gjermani dhe në sisteme të ndryshme evropiane, Dr. med.... -
AHV 2030: Pensioni nuk vjen më vetë – pse duhet ta planifikoni më herët në Zvicër -
Nga Zvicra në Kosovë: Historia e Vali Ranch në fokus te televizioneve shqiptare -
Kino Kosova rikthehet në Bernë: Edicioni i shtatë mbahet më 9–13 shtator 2026 -
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum
Jeta në Austri
-
Edhe mësuesit shqiptarë nga Austria pjesë e Seminarit të Mësuesve të Diasporës Seminari i 19-të i mësuesve të diasporës në Brezovicë... -
Austri: Deri në 17 për qind më shumë natyralizime në gjysmën e parë të vitit -
Shkollat e Policisë në Vjenë përballen me vende të zbrazëta pavarësisht 900 aplikantëve -
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin












