Kosova
Përfundon protesta në Strasburg, OVL-UÇK: Dorëzuam 285 letra në Asamblenë e Këshillit të Evropës
Para Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës në Strasburg, sot është zhvilluar protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë protestës së sotme Organizata e Veteranëve të UÇK-së, ka bërë të ditur se ka dorëzuar 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, lidhur me shqetësimet që ata i shprehin për procesin e gjyqit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale.
“Protesta e radhës kundër padrejtësisë u mbajt sot në Strasburg të Francës. Gjatë kësaj proteste, u dorëzuan edhe 285 letra në emër të secilit anëtar të Asamblesë së Këshillit të Evropës, me shqetësimet tona lidhur me procesin në Gjykatën Speciale. OVL UÇK vazhdon angazhimin e saj për drejtësi dhe respektim të të drejtave të luftëtarëve të lirisë”, thuhet në njoftimin e OVL UÇK-së në Facebook për protestën në Strastburg, në Francë, transmeton albinfo.ch.
Këto janë pikat që janë përmendur në letrën dërguar anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
- Themimi i Dhomave Speciale
Dhomat Speciale të Kosovës (DSK) u themeluan si përgjigje ndaj raportit të vitit 2010 nga raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, i cili përmbante akuza për trafikim organesh dhe krime të tjera serioze të kryera gjoja nga ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Më 25 janar 2011, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi raportin.
Më 3 gusht 2015, Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi ndryshime kushtetuese që mundësonin krijimin e gjykatës, me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim.
- Perceptimi fillestar dhe pritshmëritë në Kosovë
Themelimi i gjykatës u perceptua gjerësisht në Kosovë si i padrejtë dhe njëanshëm, pasi UÇK-ja ishte një forcë çlirimtare që luftoi kundër një regjimi represiv dhe për lirinë e popullit. Megjithatë, udhëheqësit institucionalë të Kosovës në atë kohë, përfshirë ish-Presidentin Hashim Thaçi, mbështetën idenë e trajtimit të akuzave përmes një procesi gjyqësor të monitoruar ndërkombëtarisht, me qëllim mbrojtjen e integritetit të luftës çlirimtare.
Është e rëndësishme të theksohet se akuzat fillestare që lidhen me trafikimin e organeve dhe objektet sekrete të mbajtjes në paraburgim, elemente kyçe të raportit të Dick Marty, nuk janë pjesë e aktakuzave zyrtare. Në vend të kësaj, gjykata e zgjeroi mandatin e saj duke ndjekur akuza të tjera që nuk përmenden në raportin fillestar.
- Procedurat dhe zhvillimet kryesore
Në vitin 2020, u ngritën aktakuza kundër katër ish-udhëheqësve të lartë të UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Të katërt dhanë dorëheqje nga funksionet publike dhe u dorëzuan vullnetarisht në gjykatë në Hagë.
- Çështjet kryesore dhe kritikat ndaj procesit
- Natyra e aktakuzave. Gjykata i karakterizon strukturat e UÇK-së si një “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, duke kriminalizuar indirekt vetë luftën çlirimtare, qasje kjo me pasoja serioze historike dhe politike.
- Paraburgimi i zgjatur. Të akuzuarit janë mbajtur në paraburgim për gati pesë vjet, pavarësisht dorëzimit vullnetar, bashkëpunimit të plotë me gjykatën dhe faktit që nuk paraqesin rrezik arratisjeje. Të gjitha kërkesat për lirimin me kusht janë refuzuar vazhdimisht.
- Mungesa e transparencës. Shumë seanca janë mbajtur të mbyllura për publikun. Shumë dëshmitarë janë të mbrojtur dhe anonimë. Qasja e publikut dhe mediave është jashtëzakonisht i kufizuar, me vetëm një media të autorizuar të lejuar të raportojë drejtpërdrejt nga salla e gjyqit.
- Shqetësime për të drejtat e njeriut. Të pandehurit kanë raportuar keqtrajtim dhe shkelje të të drejtave të tyre themelore gjatë paraburgimit, përfshirë periudha të gjata pa kontakt me familjarët.
- Burimi i provave – një brengë serioze
Një shqetësim madhor mbetet përdorimi i provave nga gjykata, prova këto të siguruara nga institucionet e sigurisë së shtetit serb, përfshirë:
- Shërbimin e Sigurimit të Shtetit (UDB)
- Ministrinë e Punëve të Brendshme (MUP)
- Komandën ushtarake për “Kosovë dhe Metohi”
Këto institucione gjatë luftës drejtoheshin nga individë që më vonë u dënuan për krime lufte nga tribunalet ndërkombëtare. Pranimi i materialeve të prodhuara nga një aparat shtetëror i dënuar ndërkombëtarisht për krime kundër njerëzimit në Kosovë ngre pikëpyetje serioze rreth besueshmërisë dhe paanshmërisë së procesit gjyqësor.
- Zhvillimet e Fundit – Konflikt Interesi
Në mars 2025, z. Hashim Thaçi ngriti zyrtarisht shqetësime për përfshirjen e prokurorit John Devaney në procedura, duke theksuar se ai më parë kishte shërbyer si roje në Njësinë e Menaxhimit të Paraburgimit, ku aktualisht mbahen të akuzuarit. Kjo ka shkaktuar dyshime serioze mbi neutralitetin dhe standardet etike të gjykimit.
- Përfundimi
Kjo letër ka për qëllim të ofrojë informacion të përgjithshëm dhe kontekst për përfaqësuesit diplomatikë dhe aktorët ndërkombëtarë të cilët mund të mos jenë shumë të familjarizuar me funksionimin dhe sfidat e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë dhe vazhdon të avokojë për një proces të drejtë, transparent dhe të paanshëm që respekton të drejtat themelore të njeriut dhe pasqyron saktësisht të vërtetën historike të luftës çlirimtare të Kosovës.
Ne ju bëjmë thirrje me mirësjellje t’i merrni këto shqetësime në konsideratë dhe t’i komunikoni ato tek institucionet tuaja shtetërore dhe ministritë e jashtme, në mënyrë që së bashku të sigurojmë një qasje të drejtë dhe të balancuar ndaj proceseve gjyqësore në vazhdim që lidhen me Kosovën.
E-Diaspora
-
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë Mbrëmë, në hapësirat e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, u hap ekspozita... -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë” -
Sot fillon afati 11-ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës
Jeta në Austri
-
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” Liga Shqiptare e Futbollit në Austri sjell sërish Turneun e Pavarësisë... -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti









