Kosova
Zgjedhje pa fitues absolut, por me mesazhe për partitë
Rezultatet preliminare, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për garat me balotazh në 18 komuna të Kosovës, të mbajtura më 9 nëntor, krijuan një balancë të re lokale mes partive politike – me fuqi pothuajse të barabartë.
Bazuar në të dyja rundet e votimeve për kryetarë të 38 komunave, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) fituan secila nga shtatë komuna. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) fitoi gjashtë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ruajti udhëheqjen në pesë.
Nisma Socialdemokrate, Partia Turke KDTP dhe iniciativa e Ramiz Lladrovcit siguruan nga një komunë secila. Ndërsa, Lista Serbe ka kontrollin në të dhjetë komunat me shumicë serbe.
Një rezultat i fragmentuar politikisht
Sociologu dhe analisti politik, Artan Muhaxhiri, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se këto rezultate nuk kanë prodhuar një fitues apo humbës të qartë në nivel partie.
“Në përgjithësi, është një shpërndarje shumë e llojllojshme e fituesve – gjë që, logjikisht, nuk lejon të ketë fitues apo humbës absolut. Por, gjithsesi, partitë do ta interpretojnë sipas dëshirave të tyre”, thotë ai.
Partitë politike dhe komunat ku fituan kandidatët e tyre për kryetar
Lëvizja Vetëvendosje (7 komuna): Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Obiliq, Fushë Kosovë, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime
Lidhja Demokratike e Kosovës (7 komuna): Prishtinë, Pejë, Dragash, Viti, Junik, Istog dhe Lipjan
Partia Demokratike e Kosovës (6 komuna): Prizren, Vushtrri, Kaçanik, Skënderaj, Ferizaj dhe Han i Elezit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (5 komuna): Gjakovë, Suharekë, Klinë, Rahovec dhe Deçan
Partia Turke KDTP (1 komunë): Mamushë
Nisma Socialdemokrate (1 komunë): Malishevë
Iniciativa e Ramiz Lladrovcit (1 komunë): Drenas
Lista Serbe (10 komuna): Kllokot, Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut
Në të njëjtën linjë është edhe politologu Dritëro Arifi, i cili thekson se Lëvizja Vetëvendosje ka dëshmuar një përhapje më të gjerë gjeografike sesa në zgjedhjet e mëparshme, megjithëse në nivel asambleje ajo mbetet forca e tretë.
“Është një balancë interesante. Me asamble, LVV-ja është në vendin e tretë, por me komuna (kryetarë) është më mirë se ka qenë para katër ose tetë vjetësh. Unë do të thosha se jemi duke parë një fragmentarizim të pushtetit lokal – me një rënie të lehtë edhe të PDK-së në krye të komunave, por jo në nivel asambleje”, shpjegon Arifi për Radion Evropa e Lirë.
Përqendrimi në qendrat kryesore
Sipas Muhaxhirit, partitë do ta matin suksesin e tyre në bazë të fitores në qendrat kryesore.
“LDK-ja do të mbështetet te fitorja në Prishtinë, por duhet të merret parasysh se ka humbur dy bastione tradicionale: Fushë Kosovën dhe Obiliqin. Në anën tjetër, LVV-ja ka shënuar avancim të rëndësishëm, veçanërisht me fitoren në Mitrovicën e Jugut”, thotë Muhaxhiri.
Ai shton se PDK-ja nuk ka performuar mirë në këto zgjedhje, por ka arritur të ruajë Prizrenin – një nga komunat më të rëndësishme të vendit.
AAK-ja mbajti të gjitha komunat që i qeveriste më parë, gjë që, sipas Muhaxhirit, është një rezultat i qëndrueshëm.
Rezultati i partive në zgjedhjet lokale në vitin 2021
Partia Demokratike e Kosovës (9 komuna): Prizren, Drenas, Kaçanik, Vushtrri, Dragash, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Han i Elezit dhe Ferizaj
Lidhja Demokratike e Kosovës (7 komuna): Prishtinë, Fushë Kosovë, Istog, Viti, Junik, Pejë dhe Lipjan
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (5 komuna): Gjakovë, Klinë, Rahovec, Therandë dhe Deçan
Lëvizja Vetëvendosje (4 komuna): Gjilan, Podujevë, Kamenicë dhe Shtime
Nisma Socialdemokrate (1 komunë): Malishevë
Xhafer Gashi (1 komunë): Obiliq
Lista Serbe (10 komuna): Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Mitrovicë e Veriut dhe Kllokot
Pasojat në skenën kombëtare
Zgjedhjet lokale u zhvilluan në një kohë të paqartësive politike në nivel qendror, teksa mbetet e hapur çështja nëse Kosova do të ketë një qeveri të re apo do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Kjo do të qartësohet deri më 19 nëntor, kur përfundon afati për mandatarin e LVV-së, Glauk Konjufca, që të formojë dhe paraqesë qeverinë në Kuvend.
Analistët thonë se rezultatet lokale u japin partive një pasqyrë të qartë për përgatitjen e zgjedhjeve eventuale nacionale.
Arifi thekson se vetëm dy komuna – Prishtina dhe Mitrovica e Jugut – kanë peshë reale për matjen e forcës partiake.
“Fitorja në Prishtinë i jep një përparësi të lehtë LDK-së, por nuk është fitore absolute, sepse pjesëmarrja ka qenë e ulët dhe shumë votues nuk i përkasin LDK-së. Por, nuk është matës i mirë vetëm kryetari i komunës dhe balotazhi. Shpeshherë kjo di të mashtrojë”, thotë Arifi.
Në të njëjtën frymë, ai shton se në Mitrovicën e Jugut, ku fitoi Faton Peci i LVV-së ndaj Arian Tahirit të PDK-së, asambleja komunale mbetet e fragmentuar – çka reflekton kompleksitetin e votës lokale.
Sipas Muhaxhirit, rezultatet e zgjedhjeve lokale tregojnë se nuk priten ndryshime të mëdha në skenën politike kombëtare, përveç nëse partitë ndryshojnë qasje.
Nëse partitë vazhdojnë me të njëjtin stil, LVV-ja “do të mbetet në populizëm”, ndërsa të tjerat do të vuajnë nga “mungesa e kreativitetit dhe guximit për të ndryshuar”, thotë ai.
“Nëse kjo gjendje ‘fotokopjohet’ në nivel qendror, nuk do të kemi dallime të mëdha nga sot”, shton Muhaxhiri.
Rënia e pjesëmarrjes – sinjal për partitë
Pjesëmarrja në zgjedhje ishte e ulët: rreth 40 për qind në rundin e parë dhe vetëm 32 për qind në balotazh.
Sipas Arifit, kjo tregon se qytetarët janë zhgënjyer nga ofertat politike, të cilat ende fokusohen në çështje bazike, si kanalizimi e ujësjellësi.
“Unë nuk kam parë kandidat, i cili me të vërtetë ka investuar shumë në një vizion apo program që mund të jetë i zbatueshëm në katër vjetët e ardhshëm. Ne ende flasim për kanalizim e ujë – në vitin 2025”, shprehet Arifi.
Muhaxhiri e sheh rënien e daljes në votime si mungesë motivimi dhe sinjal paralajmërues për partitë para zgjedhjeve të mundshme parlamentare.
“Votuesit kanë kritere reale dhe të sakta. Ata nuk panë ofertë të besueshme… Mesazhi është i qartë: nevojitet politikë racionale dhe më pak polarizuese”, përfundon Muhaxhiri./REL
E-Diaspora
-
Zvicër
Ambasadori Ermal Dredha dorëzon Letrat Kredenciale te Guy Parmelin Ambasadori Ermal Dredha dorëzon Letrat Kredenciale te Presidenti zviceran Guy Parmelin... -
Rromir Imami: Kur portreti kthehet në narrativë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Fribourg -
Një mbrëmje me Florian Vlashin në Londër – Arti si kujtesë, udhëtim dhe shërbim -
Prezantohet në Lozanë libri “Për ata që s’u kthyen” -
Berlin
Arti shqiptar mahnit Berlinin me performancë ndërkombëtare
Jeta në Austri
-
Nesër Maratona e Vjenës 2026: Këto rrugë do të mbyllen Maratona e Qytetit të Vjenës 2026 sjell mbyllje të gjera rrugësh në Ringstraße, autostrada dhe ura;... -
Austri
Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps -
Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj -
22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë -
19 vjeçari që humbi jetën në Austri është nga komuna e Rahovecit













