Lajme

Guben, qyteti gjerman që tërheq banorë me banim të përballueshëm

Në qytetin e vogël të Guben, në kufirin lindor të Gjermanisë me Poloninë, Anika Franze, 38 vjeç, ka gjetur jetën që gjithmonë dëshironte. “Nuk ke problem të gjesh një banesë të përballueshme, nuk ka bllokime trafiku dhe as orë të pikut. Nuk kam pasur kurrë vështirësi në gjetjen e një vendi parkimi,” thotë ajo duke buzëqeshur, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Anika, e lindur në Berlinin Lindor, jetoi atje për pjesën më të madhe të jetës, por ritmi i ngjeshur dhe çmimet e larta të banimit e bënë të kërkonte një alternativë. E gjeti atë në Guben, përmes një programi të quajtur “Banim me provë”, që i lejon njerëzit të jetojnë për një muaj me vetëm 100 euro në javë, për të nxitur banorët e rinj në qytet dhe për të luftuar rënien e popullsisë.

Qyteti, dikur i njohur për industrinë e tekstilit dhe prodhimin e kapeleve, ka pësuar një tkurrje drastike: nga pothuajse 33,000 banorë para 30 vitesh, sot ka rreth 16,600, dhe mosha mesatare ka arritur në 58 vjeç. Kryetari i bashkisë, Fred Mahro, thekson: “Na mungon një brez i tërë.”

Megjithatë, programi ka filluar të sjellë rezultate: vitin e kaluar 30 persona provuan të jetojnë në Guben, dhe gjashtë prej tyre u vendosën aty përfundimisht. Këtë vit, kanë aplikuar tashmë 40 persona nga Gjermania, Belgjika, por edhe vende më larg si Algjeria, Egjipti dhe Brazili, transmeton albinfo.ch.

Por sfidat janë të mëdha. Landet lindore të Gjermanisë përballen me reputacionin e tyre për ekstremizmin e djathtë, ndërsa në zgjedhjet e fundit federale pothuajse 39% e banorëve të Guben votuan për partinë Alternativa për Gjermaninë (AfD). Nga ana tjetër, Anika thekson: “Njerëzit kanë paragjykimet e tyre, por unë besoj se mund të krijosh lidhje me ta, vetëm duhet kohë për t’u mësuar me diversitetin.”

Pavarësisht sfidave, ajo ka gjetur qetësinë që kërkonte dhe tashmë po përmbush edhe ëndrrën e fëmijërisë: të mësojë kalërimin. “Nuk e di nëse dua të plakem këtu, por edhe në Berlin nuk jam e sigurt se do të doja ta bëja këtë,” përfundon ajo, transmeton albinfo.ch.