Lajme
Hoti në Parlamentin Evropian: Pa njohje reciproke, s’mund të normalizohen marrëdhëniet Kosovë-Serbi
Hoti ka thënë se fqinjësia e mirë dhe dialogu janë vlera evropiane dhe civilizuese në marrëdhëniet ndërshtetërore
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim BE-Kosovës në Parlamentin Evropian.
Në këtë takim Hoti ka thënë se fqinjësia e mirë dhe dialogu janë vlera evropiane dhe civilizuese në marrëdhëniet ndërshtetërore. Sipas tij, nuk ka rrugë tjetër përveç zbatimit të standardeve evropiane të fqinjësisë së mirë dhe dialogut, të cilat janë esenciale për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
“Vetëm përmes fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian largohet pasiguria politike që po e mban peng zhvillimin demokratik dhe ekonomik të gjithë rajonit. Por fqinjësia e mirë jep rezultate vetëm kur zbatohet nga të gjitha palët. Janë tri veprime të Serbisë që vazhdojnë të mbesin të pandëshkuara nga BE-ja, me përjashtim të deklaratave politike që janë bërë kohë pas kohe”, ka thënë ai.
Serbia kërkon anulimin e subvencioneve nga Kosova për bujqit e Luginës, Lutfiu: Nuk do ta shfuqizojmë vendimin
Sipas Hotit, përfshirja e institucioneve shtetërore serbe në sulmet terroriste të vazhdueshme në veri të Kosovës, që dëshmohet, ndër të tjera, me mosndërmarrjen e masave ndaj personave që dihen qartazi se kanë qenë të përfshirë në këto sulme, presioni i vazhdueshëm i Serbisë ndaj komunitetit serb në Kosovë për t’u mos u integruar në institucionet e shtetit të Kosovës, si dhe shlyerja e vazhdueshme e adresave të banimit nga regjistri civil për shqiptarët në Luginën e Preshevës, janë veprime të Serbisë të cilat nuk janë ndëshkuar.
Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Hoti ka thënë se si parti ‘që kemi bartur përgjegjësi shtetërore për shumë vite, besojmë se dialogu është mekanizmi i vetëm për të zgjidhur mospajtimet’.
“Kosova ka treguar gatishmëri për dialog që nga viti 2011. Nga atëherë e deri në vitin 2017, janë arritur shumë marrëveshje, edhe pse shumë nga to nuk janë zbatuar. Ato marrëveshje që janë zbatuar e kanë përmirësuar jetën e qytetarëve në të dy shtetet. Në vitin 2020, në qeverinë paraprake, nisi dialogu për marrëveshjen përfundimtare për njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Por, fatkeqësisht, ajo kornizë e dialogut u braktis në vitin 2021. Dialogu gjatë periudhës 2021-2024 nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret. Gjatë kësaj periudhe, palët negociuese pajtoheshin në takimet e mbyllura, ndërkaq sapo dilnin në publik, mohonin çdo gjë. Kjo ka qenë qasja e përhershme e palës serbe në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, por së fundmi edhe pala kosovare po sillet njësoj”, ka thënë ai.
Hoti ka theksuar se përderisa nuk adresohet problemi kryesor mes dy vendeve, që është njohja reciproke, nuk mund të normalizohen marrëdhëniet mes dy vendeve.
“Të gjitha problematikat në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat po adresohen në kuadër të dialogut të Brukselit, burojnë nga mungesa e njohjes reciproke. Prandaj, është e domosdoshme që dialogu të fokusohet në arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Si opozitë, vazhdojmë ta mbështesim dialogun. Por tanimë është e qartë për secilin se ky format i dialogut nuk sjell rezultate. Transparencë për dialogun nuk ka as për qytetarët e as për opozitën. Ndërmjetësi i BE-së mjaftohet me faktin se palët po takohen në Bruksel dhe po arrihen dakordime për vazhdimin e takimeve. Vëmendja e nevojshme politike për dialogun nga nivelet e larta të BE-së vjen vetëm kur ndodhin probleme në terren, duke e kthyer kështu dialogun në mekanizëm për zgjidhjen e situatave problematike e jo për adresimin e problemit kryesor mes vendeve – që është njohja reciproke”, ka theksuar ndër të tjera Hoti.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Dënohet me 15 vjet burg studenti që sulmoi me thikë fëmijët në Cyrih Dy vjet më parë, ai kishte plagosur rëndë tre fëmijë në Cyrih. Ai kishte sulmuar një... -
Parlamenti debaton Ligjin e Përfshirjes mbi nismën e drejtuar nga Islam Alijaj -
Ekstradohet nga Franca në Kosovë një person i dënuar me 4 vjet burgim për armëmbajtje pa leje -
Tubim në Cyrih kundër padrejtësisë ndaj ish-krerëve të UÇK-së -
Nga fëmijë refugjat nga Kosova në autore: Lena Rexhepi sjell historinë e saj në tri gjuhë
Jeta në Austri
-
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak U sekuestruan gjithsej 1.496,7 gramë kokainë, 16.952,4 gramë marihuanë, 58,8 gramë metamfetaminë kristalore, 160 euro para... -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje -
Një person nga Salzburgu fiton 111,5 milionë euro në EuroMillions -
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen -
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht










