Kosova

Kompania prestigjioze zvicerane SELISE hap përfaqësinë e saj në Kosovë

Kompania prestigjioze zvicerane SELISE ka hapur përfaqësinë e saj në Parkun e Inovacioneve dhe Trajnimeve në Prizren.

Pjesë e ceremonisë ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

“Zgjerimi i kësaj kompanie me përfaqësi në Kosovë, u vlerësua si dëshmi shtesë për potencialin gjithnjë në rritje të sektorit tonë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, si dhe përkushtimit të vendit tonë ndaj transformimit digjital. Teksa tha se mirëpret hapjen e SELISE në Kosovë, Kryeministri ritheksoi angazhimin e palëkundur të Qeverisë për të ofruar mjedis të favorshëm për të bërit biznes”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Kurti është takuar edhe me Kryetarin e Bordit të SELISE, Kurt Weber, dhe Drejtorin Kryesor Operativ në SELISE, Bobby Leu, e u shpreh se sektori i TIK-ut është shtyllë e rëndësishme për ekonominë tonë, me bilanc tregtar të jashtëzakonshëm, me rritje prej 114% në eksportin e shërbimeve të TIK-ut në vitin 2022.

“Kryeministrit tha se Qeveria synon që avantazhet e digjitalizimit të arrijnë në çdo cep të Kosovës, e të mos lënë askënd mbrapa, duke veçuar lidhjen e fshatit të fundit me internetin brezgjerë gjatë këtij viti. Qeveria jonë është e përkushtuar për zhbllokimin e rritjes së mëtejshme brenda këtij sektori, duke u përafruar ngushtë me agjendën ambicioze për transformimin digjital në administratë publike, arsim, shëndetësi dhe ekonomi”, tha kryeministri Kurti, përcjell albinfo.ch.