Kosova
Ftesë për Kurtin dhe Vuçiqin të takohen së shpejti në Bruksel
Borrell ka ftuar në Bruksel të dy liderët e Kosovës dhe Serbisë
Bëhet e ditur se përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, ka ftuar në Bruksel të dy liderët, atë të Kosovës dhe të Serbisë, kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, përcjell albinfo.ch.
Pas deklaratës për ftesa, Kurti dhe Vuçiq shkëmbyen replika në distancë, duke e vështirësuar kështu mundësinë që së shpejti të kenë takim.
Ndërkohë, kreu i politikës së jashtme të BE-së, Borrell, ka bërë të ditur se do t’i njoftojë liderët e shteteve dhe qeverive të BE-së për ecurinë e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe zhvillimet e kohëve të fundit. “Propozimi është në tavolinë. I kam ftuar dy liderët që të vijnë në Bruksel së shpejti, brenda disa javësh, në mënyrë që përfundimisht ta shtyjmë përpara këtë propozim. Kemi kaluar prej një krize në tjetrën. Tani ka ardhur koha për de-eskalim dhe për punë konstruktive”, tha Borrell në fillim të punimeve të samitit të BE-së që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.
Shefi i diplomacisë evropiane tha se do të kërkojë nga liderët e vendeve anëtare që të japin një mbështetje të fuqishme në mënyrë që të evitohet përshkallëzimi, dhe t’u kërkojnë që të punojnë seriozisht për këtë propozimin e BE-së për marrëveshje finale. Sipas tij, “kjo është rruga e vetme për të zgjidhur problemet dhe normalizuar raportet mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kurti i kujton Serbisë komunat e drejtuara nga joserbë në vend
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë së enjtes publikoi një foto me komunat serbe në Serbi që udhëhiqen nga kryetarë joserbe dhe pyeti se “pse Serbia nuk ua mundëson Asociacionin një-etnik atyre, ndërsa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë”. Sipas Kurtit, Asociacion një-etnik në Serbi do të mund të formoheshin nga hungarezët, boshnjakët, shqiptarët e bullgarët.
“Asociacionet e komunave mbi baza etnike në Serbi? Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainasit, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët. 11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserbë. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”, shkroi Kurti.
Reagimi i Vuçiqit
Pyetja e ngritur nga Kurti nervozoi Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili tha se “kryeministri kosovar nuk ka çfarë të diskutojë për shtetin serb, pasi nuk është e njëjta gjë”. “Kurti dëshiron të identifikojë statusin shtetëror-juridik të Serbisë dhe të asaj që ai e quan Republikë të Kosovës, por ne jemi duke biseduar pikërisht pasi nuk është e njëjta gjë. Ai nuk ka çfarë të diskutojë për Serbinë qendrore, ne kemi një temë që po diskutojmë dhe kjo është e vetmja temë në tavolinë. Por, kur dikush mendon se ka të drejtë të bëhet arrogant, sepse ka shefat e mëdhenj dhe të fuqishëm. Këto nuk ndezin tek unë dhe me asnjë tjetër që është serioz në punën e vet”, tha Vuçiq.
Presidenti serb ka paralajmëruar se nuk do të shkojë në Bruksel nëse Prishtina zyrtare nuk e formon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. “Duhet të ma tregojnë kuptimin e atij takimi me kryeministrin e Kosovës në Bruksel. Nëse mendoni të më ftoni në Bruksel për të më bindur të them që Asociacioni mund bëhet njëkohësisht me diçka tjetër, apo pas diçkaje tjetër, mos më thirrni”, ju përgjigj shkurt Vuçiq ftesës së Borrell.
BE kërkon progres në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi
Në konkluzionet që pritet të miratohen në samitin e BE-së që zhvillon punimet në Bruksel theksohet se “Këshilli Evropian, në dritën e zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, nënvizon nevojën urgjente për progres në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesi i lartë”, theksohet në draftin e deklaratës përfundimtare. “Këshilli i BE-së mirëpret propozimin Evropian për të vendosur raportet mes dy palëve në një bazë të re dhe të qëndrueshme si një rast historik i cili duhet të shfrytëzohet nga të dyja palët me qëllim të realizimit të perspektivës së tyre evropiane”, thuhet në propozimin e tekstit. Në të njëjtin tekst liderët e vendeve anëtare të BE-së përsërisin edhe thirrjen për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Këshilli Evropian u bën thirrje të dyja palëve që të implementojnë në tërësi dhe pa kushte obligimet të cilat i kanë pranuar në kuadër të dialogut, përfshirë edhe marrëveshjet nga vitet 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, thuhet në draft. Një Propozim i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi tashmë u është dorëzuar dy liderëve Vuçiq dhe Kurti.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë... -
Vaud: Qeveria emëron Metihe Mehmetin, Drejtoreshë të Përgjithshme të Tatimeve -
KQZ i aprovon mbi 7000 pako me fletëvotime nga diaspora, i refuzon mbi 2500 tjera -
Brooklyn: Shqiptari nga Kosova humb jetën duke u përpjekur të ndalojë një grabitës -
Berlin
Shpresim Sadiku fiton titullin “Doktor Shkence” në TU Berlin
Jeta në Austri
-
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë... -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë










