Opinione
Mbeturinat në Kosovë: kush është fajtor?
Në vazhdën e modës sezonale që është përhapur ditët e fundit në Kosovë, para ca ditësh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kishte veshur fanellën e një aksioni për të pastruar vendin nga mbeturinat që po e ngufasin Kosovën. Në ato suaza, ai bëri lidhjen mes ndotjes së ambientit dhe liberalizimit të vizave. Ky apel moralizues ishte jo i drejtë, ngase bën fajtor qytetarin për gjendjen e mjerueshme të natyrës së martirizuar kosovare. Është paksa njëjtë sikurse fabrikantët e ambalazheve të fajësojnë konsumatorët për ndotjen!
Në fakt, qytetarët e ndajnë një pjesë të fajit për sjelljen që kanë ndaj ambientit, por obligimi i shtetit është që të bëjë çmos që të ndryshojë qasjen e qytetarëve ndaj ambientit dhe të mirave kolektive, t’i vetëdijesojë ata, veçanërisht të rinjtë, dhe sidomos të definojë politika publike efikase në tërë territorin (dhe jo vetëm në qendra urbane) për ta mbrojtur ambientin. Kjo e fundit bëhet përmes alokimit të mjeteve dhe vendosjes së zinxhirëve infrastrukturorë për ndarje dhe mbledhje të mbeturinave, si dhe reciklimit të tyre. Paralelisht, duhet një përkushtim urgjent për filtrimin e ujërave të zeza dhe ndotjeve paraindustriale që e shkatërron çdo ditë florën dhe faunën e Kosovës, me dëme afatgjata, pa e harruar ajrin tejet të ndotur të rrafshit të Prishtinës nga helmi i Obiliqit.
Natyrisht, edhe masat disiplinore dhe financiare duhet ta përcjellin qasjen globale për ta mbrojtur ambientin e Kosovës, paralelisht me programe edukative shkollore dhe fushata pozitive nxitëse për reciklim, duke lidhur dashurinë ndaj vendlindjes me dashurinë ndaj natyrës, në stilin: «E mbroj natyrën, sepse e dua Kosovën». Duhet larguar mentalitetin e kolektivitetit komunist të trashëguar, duke ngritur nivelin e përgjegjësisë individuale ndaj të mirave shoqërore dhe duke i konsideruar ato po ashtu si të mira personale.
Tejkalimi i logjikës së fajësimit dhe moralizimit të qytetarëve bëhet duke ngritur qasjen ndaj ambientit në nivel të përgjegjësisë shtetërore, sepse interesi kombëtar është në pyetje. Dëmet nga ndotja e ambientit janë të mëdha për shoqërinë, si ato shëndetësore, ekologjike dhe, sidomos ekonomike. Plehrat e hedhura gjithandej në Kosovë janë si shpata e Damokleut që dëmton rëndë bujqësinë, blegtorinë dhe sidomos turizmin kosovar. Janë të shumta dëshmitë e vizitorëve të huaj në Kosovë dhe Shqipëri që mbesin të shokuar me prezencën kudo të mbeturinave, qoftë në male, fusha dhe, sidomos në lumenjtë shqiptarë.
Çështja e ambientit mund të shndërrohet nga një sfidë në oportunitet për ekonominë kosovare, sepse që me vite është duke u promovuar nocioni i ekonomisë së gjelbër, që përfshin po ashtu edhe sektorin e mbeturinave, energjisë si dhe industrisë ushqimore. Me mijëra vende pune mund të krijohen duke mbrojtur natyrën. Prandaj, çdo euro e investuar për ta mbrojtur natyrën, mund të kthehet shumëfish, sikurse për nga aspekti ekonomik, por edhe ai shëndetësor, duke ndikuar në përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve të Kosovës dhe zbritjen e kostos mjekësore.
Veç kësaj, sanimi i Kosovës dhe Ballkanit nga ndotjet që burojnë në deponitë e egra do t’u kushtojë jashtëzakonisht shtrenjtë shteteve (lexo qytetarëve), ngase kjo do të jetë një nga kushtet e rëndësishme për t’u anëtarësuar në familjen evropiane!
Dr. Bashkim Iseni, politolog
E-Diaspora
-
Vdekja e 19 vjeçarit shqiptar në Londër në vendin e punës, reagon familja e tij Familja e të ndjerit deklaroi se fakti që vdekja e tij ishte plotësisht e shmangshme e... -
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik -
Granit Xhaka rrëfen sakrificat e familjes, -
Itali
Përplasje fatale në Itali: 30-vjeçari shqiptar qëllohet për vdekje pas një sherri -
Londër
Akademia Ballkanike e Pianos bëhet pjesë e sistemit prestigjioz Trinity College London
Jeta në Austri
-
Në Vjenë ndizen qirinj për viktimat e aksidentit tragjik Edhe disa ditë pas aksidentit tragjik në vendin e punës, ku humbën jetën tre kosovarë,... -
Austri: Kosovarja shkakton aksident me makinë, lëndohet rëndë çiklistja -
Janë nisur drejt Kosovës trupat e viktimave nga aksidenti në Vjenë -
Austri: Dialektet do të mësohen në kurset e reja të integrimit -
Aksidenti tragjik në Vjenë: Kompania e ndërtimit fshin gjurmët pas vdekjes së tre kosovarëve












