Skip to content

Përditësohet aplikacioni i SBB-së, këto janë funksionet e reja

Hekurudhat Federale Zvicerane (SBB) kanë përditësuar aplikacionin e tyre me disa funksione të reja, që synojnë ta bëjnë më të lehtë udhëtimin me tren dhe përdorimin e shërbimeve përkatëse.

Përditësimi mundëson rezervimin e parkingut pranë stacioneve hekurudhore përmes shërbimit P+Rail, pa pasur nevojë për një aplikacion të veçantë. Përdoruesit tashmë mund t’i zgjasin ose t’i ndërpresin para kohe rezervimet e parkingut.

Ndryshime ka edhe te funksioni EasyRide, i cili tani mund të përdoret edhe nga udhëtarët që kanë blerë paraprakisht bileta me çmim të reduktuar. Përmes tij mund të blihen gjithashtu bileta shtesë për qentë dhe biçikletat.

Një tjetër risi është mundësia e përzgjedhjes së ulëseve përmes një plani grafik të vagonëve, për udhëtimet me trena InterCity, trenat panoramikë, Glacier Express dhe disa linja ndërkombëtare drejt Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Sipas mediave zvicerane, përditësimi është në dispozicion për pajisjet iOS dhe Android, ndërsa shpërndarja automatike do të bëhet gradualisht.

Në fillim të vitit 2027 pritet të shtohen edhe njoftimet në kohë reale për ndryshimet e peroneve dhe vonesat, të cilat do të shfaqen drejtpërdrejt në ekranin e kyçur të telefonit. Përdoruesit do të mund t’i paraqesin biletat e tyre edhe pa e hapur aplikacionin.