Parlamenti i qytetit të Cyrihut ka miratuar një propozim që synon të garantojë pagesat me para të gatshme në ndërmarrjet komunale dhe te institucionet që subvencionohen nga qyteti. Propozimi u miratua me 73 vota pro dhe 44 kundër, pavarësisht kundërshtimit të ekzekutivit lokal.
Vendimi vjen pas debatit për kalimin drejt pagesave vetëm me kartë bankare ose përmes telefonit të mençur. Çështja u aktualizua pasi tregu i Krishtlindjeve pranë stacionit kryesor të trenave dhe Muzeu i Artit i Cyrihut (Kunsthaus) planifikuan të mos pranonin më para të gatshme, por u tërhoqën pas reagimeve të qytetarëve.
Nismën e paraqiti E Majta Alternative (AL), me mbështetjen e Partisë Popullore Zvicerane (SVP). Përkrahësit argumentuan se pagesat me para të gatshme duhet të mbeten të mundshme për personat pa llogari bankare dhe për ata që duan të mbrojnë privatësinë e tyre.
Ndërkaq, ekzekutivi i qytetit, së bashku me FDP-në, GLP-në dhe Partinë e Qendrës, kundërshtoi vendosjen e një detyrimi të përgjithshëm, duke ngritur shqetësime për lirinë ekonomike të bizneseve.
Pas një kompromisi të propozuar nga Partia Socialdemokrate (SP), detyrimi do të përfshijë ndërmarrjet komunale dhe institucionet që marrin subvencione nga qyteti, por jo bizneset që ushtrojnë veprimtari në hapësira publike.
Tashmë, ekzekutivi i Cyrihut duhet të përgatisë një propozim për ndryshimin e rregullave komunale, për ta institucionalizuar të drejtën e pagesës me para të gatshme.
Sipas të dhënave të Bankës Kombëtare të Zvicrës, në vitin 2025 vetëm rreth një e treta e transaksioneve kryheshin me para të gatshme, krahasuar me rreth 70 për qind në vitin 2017.