Skip to content

Kur shqiptari më nuk është lajm

Para 15 vjetësh ishte lajm të gjeje pesë apo gjashtë studentë shqiptarë në një universitet zviceran. Ishte lajm kur një shqiptar kandidonte për një asamble komunale. Ishte lajm kur hapte një biznes. Kishte vlerë të shkruaje edhe për një vajzë të re shqiptare që po bënte zanatin si shitëse në Migros apo Coop. Sot shumë […]

Para 15 vjetësh ishte lajm të gjeje pesë apo gjashtë studentë shqiptarë në një universitet zviceran. Ishte lajm kur një shqiptar kandidonte për një asamble komunale. Ishte lajm kur hapte një biznes. Kishte vlerë të shkruaje edhe për një vajzë të re shqiptare që po bënte zanatin si shitëse në Migros apo Coop.

Sot shumë prej këtyre historive nuk janë më lajm. Dhe kjo është një gjë e mirë. Sepse shqiptari në Zvicër nuk është më përjashtim. Studentët, mjekët, juristët, inxhinierët, sipërmarrësit, artistët, sportistët apo kandidatët politikë me prejardhje shqiptare janë pjesë normale e shoqërisë zvicerane.

Ky është ndoshta një nga ndryshimet më të mëdha që kemi përcjellë gjatë 15 viteve të albinfo.ch.

Max Frisch dikur shkroi: Kërkuam fuqi punëtore, por na erdhën njerëz. Kur filluam me albinfo.ch, pikërisht njerëzit kërkonim edhe ne. Në atë kohë, shqiptarët në mediat zvicerane shpesh shfaqeshin përmes aksidenteve, konflikteve, kriminalitetit apo problemeve të integrimit.

Ne nuk donim ta kopjonim këtë mënyrë raportimi. Jo sepse këto probleme nuk ekzistonin. As sepse nuk duhej të shkruanim për to. Por sepse ato nuk ishin e gjithë historia. Ekzistonte edhe një realitet tjetër. Kishte të rinj që studionin. Familje që ndërtonin jetën e tyre në Zvicër. Punëtorë që bëheshin sipërmarrës. Shqiptarë që hynin në universitete, institucione, kulturë, sport dhe politikë. Ne filluam t’i kërkonim këto histori. Nuk ishte e lehtë.

Një medium shqiptar në Zvicër, me mjete të kufizuara dhe me një publik të shpërndarë, nuk kishte shumë siguri për të ardhmen. Në vitin e parë të albinfos një poet, gazetar dhe mik imi më tha: Nuk besoj që do të arrini ta mbani albinfon më shumë se dy vjet. Nuk e tha me keqdashje. Kishte parë shumë iniciativa të fillonin me entuziazëm dhe të përfundonin shpejt. Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, albinfo.ch vazhdon të ekzistojë. Ky fakt meriton të shënohet, jo ngase në këto 15 vjet pune kemi bërë gjithçka mirë. Ne e dimë që kemi bërë edhe gabime. Kemi humbur tema. Kemi pasur periudha më të mira dhe më të dobëta. Kemi mundur të bëjmë më shumëm por këto kanë qenë kapacitetet tona.

Megjithatë, një parim jemi përpjekur ta ruajmë: nuk kemi kërkuar me çdo kusht të jemi të parët me lajmin. Sot kjo është edhe më e rëndësishme. Sepse shohim si rrjetet sociale shpërblejnë atë që provokon, zemëron apo argëton. Shpejtësia është bërë pjesë e gazetarisë. Klikimi është bërë matës i suksesit.

Por jo gjithçka që klikohet ka vlerë. Detyra e gazetarit nuk është vetëm ta publikojë lajmin. Është ta verifikojë atë dhe ta ndajë faktin nga opinioni e mbi të gjitha, të vendosë se çfarë meriton të bëhet lajm.

Gjatë këtyre 15 viteve nuk ka ndryshuar vetëm gazetaria. Kanë ndryshuar edhe shqiptarët në Zvicër. Punëtorët u bënë sipërmarrës. Fëmijët e mërgimtarëve hynë në universitete. U bënë mjekë, juristë, inxhinierë, mësues, gazetarë dhe drejtues kompanish. Hynë në institucione, politikë, kulturë dhe sport. Shumë gjëra që dikur i kërkonim si histori të veçanta, sot janë bërë normale.

Dhe pikërisht këtu fillon një sfidë e re për gazetarinë tonë. Nëse para 15 vjetësh kërkonim historitë e suksesit sepse ato mungonin në pasqyrën mediatike të shqiptarëve, sot nuk mjafton vetëm t’i tregojmë ato. Sepse edhe historia e suksesit mund të shndërrohet në një stereotip, nëse tregojmë vetëm atë që na pëlqen.

Gazetaria nuk duhet as ta nxijë një komunitet, as ta zbukurojë atë. Duhet ta tregojë ashtu siç është Prandaj ne duhet të shkruajmë për integrimin, por edhe për problemet e tij. Për gjuhën shqipe që po humbet te një pjesë e gjeneratave të reja. Për raportin e diasporës me vendet e prejardhjes. Për ndikimin e votës së saj këtu dhe atje. Për arsimin. Për pjesëmarrjen politike. Për bizneset që kanë sukses, por edhe për ato që dështojnë. Për dallimet mes gjeneratave. Për të rinjtë që nuk kanë nevojë të zgjedhin mes dy identiteteve, sepse janë shqiptarë dhe zviceranë njëkohësisht.

Dhe duhet të bëjmë edhe pyetje që ndonjëherë nuk na pëlqejnë. Njëra prej tyre është: Kush ka ndryshuar gjatë këtyre 15 viteve, Albinfo apo shqiptari të cilin ne e përcollëm përmes lajmeve, intervistave, portreteve dhe reportazheve duke dokumentuar fuqishëm sukseset e tija në Zvicër. Dhe sot vetë titulli i këtij editoriali tregon sa shumë ka ndryshuar kjo histori. Shqiptari më nuk është lajm vetëm pse është shqiptar. Kjo nuk do të thotë se nuk ka më histori. Përkundrazi. Do të thotë se duhet t’i kërkojmë historitë më thellë.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë pyetja ishte nëse do të arrinim të qëndronim më shumë se dy vjet me këtë formë raportimi. Sot pyetja është më e vështirë: A jemi ende të nevojshëm për këtë formë raportimi. Sepse të ekzistosh është një gjë. Të jesh i nevojshëm është tjetër. Dhe përgjigjja nuk mund të jetë se kemi mbushur 15 vjet. Ajo duhet të vijë nga gazetaria që bëjmë. Nga pyetjet që shtrojmë. Nga temat që nuk i shmangim dhe nga gatishmëria për ti treguar komunitetin tonë jo siç do të dëshironim ta shihnim, por ashtu siç është.

Sepse pas 15 vjetësh, sfida jonë nuk është më të dëshmojmë se shqiptari mund të jetë student, mjek, sipërmarrës, politikan apo artist. Sfida është ta shohim lexuesin tonë jo si një fuqi klikimesh apo pëlqimesh, por si fuqi njerëzore që ia ka dalë nga fuqia punëtore, pra punëmarrësi të kthehet në punëdhënës, nga pacienti të kthehet në mjek dhe nga spektatori në lojtar. Dhe kur shqiptari më nuk është lajm vetëm pse është shqiptar, ndoshta ky është lajmi më i mirë që kemi përcjellë si Albinfo.ch dhe unë si gazetar në këto 15 vitet e mediumit tonë të përbashkët. Ju faleminderit që besuat në Albinfo.ch ashtu siç besuam ne për sukseset tuaja.