Lajme

Kusari Lila i trimëron zviceranët të investojnë në Kosovë

Zëvendëskryeministrja Kusari Lila ka inkurajuar bindshëm investitorët potencialë nga Zvicra që të sjellin kapitalin e tyre në Kosovë

Konferenca për investime në Kosovë, që u mbajt dje, ka sjellë në Cyrih zëvendëskryeministren dhe ministren për Tregti dhe Industri, Mimoza Kusari-Lila me bashkëpunëtorët. Prania e saj në këtë konferencë, është vlerësuar si një kualitet i ri në vazhdën e një numri konferencash të ngjashme që ka organizuar në Zvicër Agjencia për promovimin e Investimeve IPAK, ajo ECIKS nga Vjena.

Në organizimin e sivjetmë janë përfshirë: Albinfo.ch, OSEC (Oda bizneseve Evropë e Mesme- Zvicër, me seli në Cyrih), Sekretariati i ekonomisë (SECO), ECIKS nga Viena, Ambasada e Republikës së Kosovës në Bernë si dhe dhe IPAK.

Në fjalën e përshëndetjes ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, ka përkujtuar se mërgimtarët kosovarë nga Zvicra më shumë se vetëm para, në Kosovë kanë dërguar kulturën e punës. Ai ka uruar që kjo të fuqizohet në të ardhmen, edhe si kontribut i kësaj konference.

 © albinfo.ch

Ndërsa kryetari i ECIKS, zyrës që promovon investimet në Kosovë, Kujtim Dobruna ka bërë një prezantim të punës që ka bërë kjo byro në pesë vitet e ekzistimit të saj. “Në vitet e fundit qëkur Kosova është pavarësuar, ajo ka përjetuar një rritje ekonomike prej 16 për qind. Mirëpo mbeten shumë sfida, në radhë të parë bilanci negativ i tregtisë kosovare” Ndërkaq, ai ka numëruar të arriturat e ECIKS-it. “Mbi 460 ndërmarrje nga regjioni gjermanofon kanë shfrytëzuar shërbimet tona. 22 projekte janë realizuar, të cilat kanë hapur 909 vende pune, dhe kanë investuar mbi 46 milionë euro. Konferenca e sotme synon që përmes kooperimit në mes të SECO-s (ministria e ekonomisë e Zvicrës) SEC (Oda Ekonomike për Evropën Juglindore) dhe IPAk-ECIKS të nxisë kooperimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Zvicrës, respektivisht investimet nga Zvicra në Kosovë”, ka thënë ai.

 © albinfo.ch

Zëvendëskryeministren Kusari-Lila, Dobruna, e ka prezantuar, duke iu referuar gazetës zvicerane NZZ, si “shpresë” për ekonominë e Kosovës, nisur nga begraundi i saj arsimor dhe energjia e re që ajo ka sjellë në qeverinë e Kosovës, sa i përket segmentit ekonomik.

Ndërkaq zonja Kusari Lila i ka bërë një prezantim gjendjes aktuale të ekonomisë në Kosovë dhe synimeve që i ka vënë para vetes Qeveria e Kosovës. Sipas saj, vizioni ekonomik i qeverisë së re që ka ardhur në prill të këtij viti përfshihet në një plan dhe ka si prioritet prosperimin ekonomik. “Zhvillimi i ekonomisë së hapur të tregut është ndër synimet tona. Dihet se Kosova ka filluar nga një bazë shumë e ulët. Megjithatë zhvillimi ekonomik në dy-tri vitet e fundit ka qenë rreth 5% për secilin vit. Popullata më e re në Evropë, që ka Kosova, është një resurs me rëndësi për përparimin e ekonomisë së Kosovës. Ajo ka edhe një arsimim të mirë, të fituar edhe jashtë vendit. Po kështu edhe qeveria aktuale përbëhet nga një numër të rinjsh, të arsimuar jashtë, ka thënë Kusari Lila.

Kusari Lila ka prezantuar objektivat ambicioze të qeverisë së Kosovës, për të rritur ekonominë në 7-8 për qind në vit, dhe për të zvogëluar papunësinë për 8-10 për qind në vit. Stimulimi i zhvillimit të bujqësisë përbën një synim të qeverisë. Ndërsa, me ndërtimin e autostradës në mes të kufirit me Shqipërinë dhe atij me Serbinë, shkurtohet ndjeshëm distanca në mes të Prishtinës dhe Durrësit .

© albinfo.ch

Ndër sfidat që dalin para qeverisë së Kosovës Mimoza Kusari Lila ka përmendur edhe luftimin e korrupsionit. Lidhur me korrupsionin, Lila ka pranuar se ai ekziston dhe duhet të luftohet, por “nuk është më i madh se në regjion”.

Ndërsa Valdrin Lluka, shef i APIK (IPAK) ka bërë një prezantim të gjerë rreth gjendjes ekonomike në Kosovë, me fokus në mundësitë që ofron Kosova për investimet e jashtme. Ndër favoret që ka Kosova, sipas Llukës është pozita e përshtatshme e saj, afër rrugëve dhe tregjeve të mëdha, sistemin e thjeshtë dhe të lehtë të regjistrimit të bizneseve, etj. Si një favor tjetër ai ka përmendur faktin se i gjithë legjislacioni në Kosovë është i ri, i pas vitit 1999 dhe kështu, kompatibil me legjislacionin evropian. Përfshirja e Kosovës në borxhe në krahasim me bruto produktin kombëtar është më e vogla në rajon e më gjerë. Kështu, përderisa në Shqipëri borxhet mbulojnë rreth 57% të BPK, në Kosovë ato janë vetëm sa 5.8% e BPK, ka thënë Lluka.

Një dokumentar i shkurtër i përgaditur enkas nga portali albinfo.ch, ka treguar ecjen e portalit gjatë një viti prejse është themeluar, me fokus të veçantë në stimulimin dhe promovimin e investimeve në Kosovë si dhe marrëdhënieve ekonomike në mes të Kosovës dhe Zvicrës.

Përvoja interesante ka shpalosur para publikut, përgjegjësi i fondit të kredive për zhvillim start -up Fund , Andreas Ragaz nga FinanceContact, Cyrih. Kreditë jepen me kushte jashtëzakonisht të volitshme. Ai ka vënë në pah se edhe Kosova është viteve të fundit përfituese e projekteve të këtij fondi. Kusht për marrjen e kredisë është që kredimarrësi të ketë qëndruar në Zvicër, të ketë nisur një veprimtari ekonomike dhe të dëshmojë besueshmëri për seriozitetin e ndërmarrjes së tij.

Bashkim Zejnullahu nga Kosova, është njëri ndër pak kosovarët që kanë përfituar nga fondi Start-up Fund i SECO-s por edhe nga USAID-i e tj.

Ai ka prezantuar me këtë rast bizneset e tij, dhe ka shpjeguar mënyrën e mbështetjes që ai ka marrë nga fondi i përmendur. Zejnullahu ka filluar në Kosovë me firmën që shtyp dhe shpërndan gazetat perëndimore në Kosovë. Ndërsa gjatë këtij viti ai ka ngritur punëtorinë e prodhimit të pelletit dhe briketit, materiale për ngrohje. Për më tepër, Zejnullahu ka folur, me njohuritë nga dora e parë, nga përvoja e drejtpërdrejtë, për ambientin e investimeve në Kosovë. Është një ambient shumë i mirë dhe që ofron shumë, ka thënë ai. Zejnullahu ka përmendur se e vetmja rrethanë problematike ka qenë mungesa e rrymës elektrike. Ai po ashtu ka drejtuar kritika për paaftësinë e një pjese të personelit administrativ të komunës ku jeton.

Drejtori i bankës Procredit bank në Prishtinë, Philip Sigwart ka përkujtuar se banka që drejton ai, ka qenë banka e parë në Kosovën e pasluftës ndërsa vazhdon të jetë më e madhja në Kosovë, me rreth 40% të shumës së gjithëmbarshme të kredive. Edhe Sigwart e ka përshkruar ambientin për investime në Kosovë mjaft të përshtatshëm.

Marrë në përgjithësi, theksi i shumicës së pjesëmarrësve shkonte drejt vlerësimit pozitiv të klimës aktuale për investime në Kosovë. Ata, edhe zviceranët pjesëmarrës kanë vlerësuar sidomos qasjen aktive që vihet re kohëve të fundit për të bërë ekonominë prioritet të Qeverisë së Kosovës.

Vizitoni foto galerinë e albinfo.ch: “Pamje nga Konferenca për investime në Kosovë e mbajtur në Cyrih”