CH-Ballkani

DPA-ja lëvdon Kosovën për transparencë fiskale

Duke e komentuar raportin e Departamenti Amerikan të Shtetit (DPA) mbi transparencën fiskale në Kosovë, Ministria e Financave e Qeverisë së Kosovës (MF) e vlerëson atë të drejt dhe objektiv, si dhe shumë të rëndësishëm për propozim-buxhetin dhe buxhetin e ardhshëm vjetor të Kosovës.

 

Ministria e Financave e Republikës  së  Kosovës përmes një njoftimi publik ka bërë të ditur se Departamenti Amerikan të Shtetit (DPA) u ka dhënë notë kaluese politikave buxhetore që po ndjek qeveria aktuale e Kosovës. Ky vlerësim pozitiv, thuhet në njoftimin e MF-së, “reflekton suksesin e plotë të Qeverisë së Kosovës në rritjen e transparencës buxhetore dhe llogaridhënien”.
“Diskutimi i gjerë i buxhetit me të gjithë akterët e involvuar, pastaj raportimi çdo muaj në Qeveri për të hyrat dhe shpenzimet, transparenca në prokurimin publik, zbatimi i një politike strikte të kursimeve dhe reformat e tjera, kanë rritur besueshmërinë e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë karshi financave publike”, thuhet në njoftimin e MF-së.
Një raport i publikuar ditë më parë nga DPA-ja, mbi transparencën fiskale, ka vlerësuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2015, duke e  renditur atë në mesin e atyre vendeve që synojnë qëndrueshmëri të përhershme financiare.
“Borxhi publik i vendit është në dispozicion për qytetarët dhe jep informata të plota dhe të besueshme, transparencën në lidhjen e kontratave publike dhe lëshimin e licencave për shfrytëzimin e resurseve natyrore, ekzistencën dhe funksionalitetin e një autoriteti suprem të auditimit të pavarur dhe bërjen publike të auditimeve të tilla”, thuhet në raportin e DPA-së.
Sipas komunikatës së MF-së transparenca fiskale është element kritik për menaxhim efektiv të financave publike dhe ndihmon në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe bizneseve karshi shtetit. Transparenca fiskale fuqizon llogaridhënien e Qeverisë duke ofruar një dritare të mundësive për qytetarë për të parë nga afër mënyrën e mbledhjes dhe shfrytëzimit të buxhetit të shtetit. Në këtë mënyrë, debati publik është më i informuar dhe bazuar në të dhëna të besueshme.
Ndryshe, të dhënat që ka përdorur DPA-ja lidhur me këtë raport, janë  marrë nga shërbimet diplomatike dhe konsullore, nga shoqëria civile, nga organizatat ndërkombëtare etj.