Lajme

Nëse dëshironi avion luftarak, ejani në Shqipëri!

Kur ra regjimi komunist në fillim të viteve '90, Forcat Ajrore Shqiptare kishin 200 avionë dhe 40 helikopterë si dhe 14 avionë transportues IL14. Shqipëria nxjerr në ankand 40 avionë të luftës

Dikur konsiderohej si krenaria e Shqipërisë, e po ashtu edhe shpresa e shqiptarëve jashtë vendit. Ndërsa sot ajo ka dalë në ankand dhe institucionet shqiptare po mundohen të nxjerrin fitim nga skrapi i “krenarisë”. Është fjala për ish-flotën ajrore shqiptare, aeroplanët dhe helikopterët e vjetruar sovjetikë e kinezë, që do të shiten përmes ankandit.

Prandaj nëse dëshironi ta blini një avion luftarak të dorës së dytë, atëherë Shqipëria është vendi ideal. Kështu e nis shkrimin e vet Associated Press, duke iu referuar 40 avionëve kinezë dhe sovjetikë që qeveria shqiptare i ka nxjerrë në shitje. Çmimi fillestar i tyre është nga 1.1 deri 2 milionë lek që bëjnë 15 mijë dollarë amerikanë.

Pilotët shqiptarë ishin anëtarë të një elite ushtarake, ngarkuar nga regjimi paranojak komunist i Shqipërisë te frenonin armiqtë e panumërt, të cilët siç shkruan në artikullin e AP, “kurrë nuk erdhën në këtë vend buzë detit Adriatik”.

Tani si një vend anëtar i NATO­s, Shqipëria po nxjerr në ankand avionët e ndryshkur për të paguar për modernizimin e ushtrisë së saj dhe për të ruajtur hapësirën në bazat e saj ajrore.

“Ishte një surprizë për ne” tha Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, duke vënë në dukje “lumin” e interesit nga ofertuesit e mundshëm në Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe vende të tjera, raporton “Panorama’.

Në një cep të bazës ajrore ne Rinas, jashtë kryeqytetit të vendit, Tiranës, MIG­et e plakur janë parkuar në rreshta dhe ruhen nga dy oficerë ushtarakë. Ngjyrat e jashtme janë venitur, gomat janë përtokë, disa nga xhamat janë thyer dhe pjesët metalike janë ndryshkur.

Ish­mekaniku Vasil Jongari, 55 vjeç, duket pothuajse i turpëruar teksa u tregon avionët  gazetareve. “Ka gjithmonë nostalgji. Por, nuk mund t’i mbajmë vetëm bazuar tek dëshira. Duhen para dhe ne nuk kemi para” thotë ai, duke treguar me gisht mbi armën 32 mm të MIG­ut 19, dikur aeroplani më i mirë i vendeve socialiste.

Ilirjan Kola, 61 vjeç, që ka fluturuar me këto avionë nga viti 1976 deri në vitin 1991, thotë se avionët ishin gjithmonë të shtrenjtë për të operuar me ta. “Ishin të kushtueshëm. Një MIG­19 me dy motorë konsumonte 52 litra karburant në minutë. Për një fluturim normal prej 30 ose 40 minutash, imagjinoni kostot” thotë ai, raportojnë mediet shqiptare.

Ndryshe, Forca ajrore shqiptare u formua në vitin 1951 dhe mori avionë MIG nga Bashkimi Sovjetik deri në vitin 1962. Më pas, Enver Hoxha u prish me rusët dhe vendi nisi të marrë avionë nga Kina deri në vitin 1977, kur u prishën marrëdhëniet me Kinën. Rreth 160 pilotë shqiptarë u diplomuan në akademinë e Vlorës dhe fluturonin rreth 80 orë në vit. Vetëm 5 janë në shërbim dhe fluturojnë të gjithë me helikopterë.

“Ne ishim të privilegjuar në atë kohë, kishim ushqim të zgjedhur posaçërisht, strehim, kujdes shëndetësor dhe na siguroheshin pushimet” thotë Kola. Ai tha se ushqimi vinte nga një fermë e dedikuar në afërsi të bazës ajrore, dhe mjeku kujdesej për dietën.

Kur ra regjimi komunist në vitin 1990, forca ajrore kishte 200 avionë dhe 40 helikopterë, si dhe 14 avionë transportues IL14.

Shtatë avionë MIG u shkatërruan gjatë vitit 1997, kur bazat ushtarake në gjithë vendin ranë pre e kryengritjeve dhe protestave pas dështimit me skemat piramidale, ku shqiptaret humben kursimet e jetës. Kur u kthye rendi, disa avionë nisën të fluturojnë sërish, por një aksident vdekjeprurës në vitin 2004 e vuri në diskutim këtë. “Në vitin 2005 u mbajt një fluturim lamtumire për ta”­ tha Jongari.

Avionët në ankand ende në një datë te pacaktuar, përfshijnë pesë lloje të avionëve ushtarakë – Yak­18, MiG­15, MiG­17, MiG­19 dhe MiG­ 21 – si dhe katër helikopterë Mi­4 të transportit.

“Ne mund të përdorim paratë për të modernizuar forcat tona të armatosura”, tha Kodheli, ministrja e Mbrojtjes. Kodheli tha se ankandi do të shërbejë si një provë e tregut. “Nëse është e suksesshme, Shqipëria ka më shumë se 100 avionë të tjerë”, transmeton Albinfo.Ch.

Shqipëria iu bashkua NATO­s në vitin 2009, dhe tani flota e saj të aviacionit ushtarak përbëhet nga helikopterë perëndimore, katër Cougars franceze, tre EC145s gjermanë dhe 13 AB205, AB206 dhe A109 modele italiane.