Kompania NordPass ka publikuar edicionin e tetë të studimit të saj vjetor për 200 fjalëkalimet më të përdorura në botë. Në bashkëpunim me kompaninë e sigurisë kibernetike NordLayer, për këtë studim janë analizuar të dhënat nga rrjedhjet e informacionit dhe bazat e të dhënave në darknet, të identifikuara në 44 shtete gjatë periudhës nga shtatori 2025 deri në shtator 2026.
Në Zvicër, rezultatet sjellin një befasi: fjalëkalimi më i përdorur është “feurio”, i ndjekur nga kombinimi i njohur “123456”.
Në listën e 20 fjalëkalimeve më të përdorura në Zvicër, pas dy të parëve renditen “tretre33”, “admin” dhe “reggae1928”.
Lista e dhjetë fjalëkalimeve të para në Zvicër:
1. feurio
2. 123456
3. tretre33
4. admin
5. reggae1928
6. Salut123_
7. 123456789
8. emperor10
9. Fuckof#1
10. freedom1
Trendet e kulturës popullore, rrezik për sigurinë
Në nivel global, “123456” vazhdon të jetë fjalëkalimi më i përdorur, i ndjekur nga “admin” dhe “12345678”.
Sipas analizës së NordPass dhe NordLayer, një ndër rreziqet kryesore për sigurinë e llogarive është ndikimi i kulturës popullore në përzgjedhjen e fjalëkalimeve. Emrat e grupeve muzikore, filmave dhe librave, kur përdoren gjerësisht si fjalëkalime, bëhen më të lehtë për t’u parashikuar nga sulmuesit kibernetikë.
Një tjetër problem është se shumë njerëz vazhdojnë t’i përdorin për vite të tëra fjalëkalimet që kanë krijuar në rininë e tyre. Për më tepër, shpesh i përdorin të njëjtat kombinime për disa shërbime dhe llogari online, duke rritur rrezikun në rast të rrjedhjes së të dhënave.
Si të mbrohen më mirë llogaritë online?
Ekspertët rekomandojnë përdorimin e fjalëkalimeve të gjata, me së paku 15 karaktere ose me disa fjalë të rastësishme, si dhe përdorimin e një fjalëkalimi unik për secilin shërbim online.
Për siguri më të madhe, rekomandohet edhe përdorimi i programeve për menaxhimin e fjalëkalimeve dhe aktivizimi i autentifikimit me dy faktorë.
Një alternativë edhe më e sigurt janë të ashtuquajturat passkeys, të cilat zëvendësojnë fjalëkalimet tradicionale me metoda verifikimi biometrike, si identifikimi përmes gjurmës së gishtit ose njohjes së fytyrës.