Lajme
Një diabet ndryshe: “Tipi 5”, sëmundja e panjohur që kërcënon miliona jetë
Një formë e re e diabetit, e cila për vite me radhë është keqinterpretuar dhe trajtuar gabimisht, ka marrë emrin dhe njohjen.
Quhet “diabeti i tipit 5” dhe sipas ekspertëve, është një nga sfidat më të mëdha shëndetësore për komunitetet e varfra në botë.
Ky lloj diabeti, ndryshe nga tipat më të njohur – tipi 1 dhe tipi 2 – nuk ka të bëjë as me mungesën e plotë të insulinës dhe as me rezistencën ndaj saj. Ai buron nga një faktor shpesh i injoruar: kequshqyerja. Dhe ndonëse sëmundja prek rreth 25 milionë njerëz globalisht, shumë pak dinë për ekzistencën e saj.
“Për një kohë të gjatë, kjo sëmundje është klasifikuar gabimisht si diabet i tipit 1”, shpjegon prof. Meredith Hawkins nga Kolegji i Mjekësisë “Albert Einstein”. “Por trajtimi i saj me insulinë mund të jetë i rrezikshëm – madje vdekjeprurës.”, shkruan ‘The Sun”, transmeton albinfo.ch.
Në prill të këtij viti, gjatë Kongresit Botëror të Diabetit në Bangkok, Federata Ndërkombëtare e Diabetit mori vendimin historik për ta emërtuar zyrtarisht këtë gjendje si “diabet i tipit 5”. Një hap që pritet të ndryshojë mënyrën sesi mjekët dhe studiuesit e trajtojnë këtë diagnozë të ndërlikuar.
Sëmundja prek më së shumti të rinj të dobët dhe të kequshqyer në Azi dhe Afrikë, shpesh me një indeks të masës trupore të ulët, ndonëse brenda kufijve “normalë”. Kjo e bën të vështirë diagnostikimin dhe shpesh çon në trajtime të gabuara.
“Qelizat beta në pankreasin e këtyre pacientëve nuk funksionojnë normalisht dhe prodhimi i insulinës është i kufizuar,” thotë prof. Nihal Thomas nga India. “Problemi është se këta pacientë nuk kanë nevojë për të njëjtin trajtim si ata me tipin 1 ose 2.”
Ky keqkuptim mund të kushtojë jetë. Disa pacientë që janë trajtuar me insulinë kanë përjetuar rënie të rrezikshme të nivelit të sheqerit në gjak, pasi trupat e tyre nuk janë në gjendje të ruajnë apo të përthithin energjinë siç duhet. Si rezultat, ata mbeten të dobët, edhe kur ushqehen mjaftueshëm.
Prof. Hawkins ishte ndër të parat që ngriti alarmin për këtë fenomen në vitin 2005. Pas një dekade kërkimesh dhe studimesh, ajo dhe kolegët e saj arritën në përfundimin se bëhej fjalë për një formë të re të diabetit, me rrënjë të thella në varfëri dhe kequshqyerje kronike.
Ajo thekson se aktualisht nuk ekziston një protokoll standard për trajtimin e tipit 5, dhe shumë pacientë humbasin jetën brenda një viti nga diagnostikimi. Dietat e pasura me proteina dhe mikronutrientë, bashkë me një reduktim të karbohidrateve, mund të ofrojnë një rrugë të re trajtimi – por nevojiten më shumë kërkime.
“Ky është një moment kyç,” shton Hawkins. “Njohja zyrtare e tipit 5 nuk është thjesht një emër i ri. Është një thirrje për veprim – për mjekët, studiuesit dhe politikëbërësit.”
E-Diaspora
-
Revista e manifestimit “Kurora e Lirisë”, një publikim që sjell standard të ri Kjo revistë përfaqëson një ndër botimet e para të këtij niveli, e cila sjell një format... -
Two.jobs sjell inovacion në Social Media Recruiting në HR Festival Europe 2026 -
Në Bernë promovohet libri “Klithma” i autores Alketa Gashi-Fazliu -
Nga familja në shërbim të qytetit: çifti shqiptar zgjidhet në Këshillin Komunal të Yverdon-les-Bains -
Nesër në Bernë: Ejani në manifestimin “Kurora e Lirisë”
Jeta në Austri
-
Vjenë
Vjenë: Nis regjistrimi i nxënësve për mësimin plotësues në gjuhën shqipe për vitin shkollor 2026/2027 Afati i aplikimit për prindërit shqiptarë në shkollat publike austriake është i hapur deri më 31... -
Vjenë: Ndryshim i rregullave të parkingut, ministria del me njoftim -
Ortopedi shqiptar Dr.Leonard Ndue, në shërbim të mijëra pacientëve në Vjenë -
Martesat dhe divorcet shënuan rënie në Austri gjatë vitit 2025 -
Austri
Nuk u vlerësua nga juria, por kënga e Sidrit Vokshit bëhet hit ne Austri











