Kosova

40 vjet nga vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës

Sot në Prishtinë u përkujtua jeta dhe vepra e vëllezērve Gërvalla dhe Kadri Zekës

17 janari i vitit 1982 do të mbetet përherë në kujtesën e shqiptarëve si data kur në një atentat të organizuar nga UDB-ja serbe në Gjermani u vranë 3 patriotët e aktivistët e çështjes kombëtare, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, shkruan Albinfo.ch.

Foto: Ministria e Kulturës/ Kosovē

Sot, në 40-vjetorin e vdekjes së tyre u mbajt një akademi përkujtimore në Prishtinë.

Foto: Ministria e Kulturës/Kosovë

“Dyzet vjet me parë aktiviteti i tyre u ndal dhunshëm, por ata inspiruan shumë pas tyre. Tre heronjtë tanë u vranë nga UDB-ja e Serbisë. Sot përkulemi para tyre dhe jemi falënderues. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu ishin kalitur me idenë e Kosovës Republikë. Prandaj Jusufi, Bardhoshi e Kadriu janë konsistentë dhe i kanë mbijetuar shumë zhvillimeve si patriotë e kishin të qartë se liria nuk është individuale. Në një letërkëmbim me shokët e burgut, lirinë e kishin të qartë. Të tre heronjtë u shuan me mall për Kosovën”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Derisa kryeministri Albin Kurti tha se vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka lanë gjurmë në historinë e Kosovës.

Foto: Ministria e Kulturës/ Kosovë

“Liria e Kosovës ka qenë ëndrra e përjetshme dhe përditshme e tyre. Ky vit shënon 40-vjetorin e atentatit nga UDB afër Shtutgartit në Gjermani. Vrasësit vazhdojnë të mos dihen, edhe pse organizatori dihej që në fillim, UDB-ja gjakatare. Besoj se ne këtu e ndajmë se shtetndërtimi ose më mirë për virtytin e shtetndërtimit është ajo marrëdhënie që duhet punuar. Në një përkujtim heroi, por atë si shtetndërtues si çlirimtarë. E kësaj here jemi mbledhur të kujtojmë dikë që na i ka lënë gjithë gjurmët. Këtu jemi për të kujtuar Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën”, theksoi Kurti.

Vrasja e veprimtarëve të Kosovës në ekzil, tash e 40 vjet ka mbetur e pazbuluar.