Shqipëria
38% e popullsisë së Shqipërisë jeton jashtë vendit
Shqipërisë sot i mungojnë rreth 1 milion e 112 mijë banorë, ose afro 38.8% e popullsisë
Meqenëse rënia demografike në Shqipëri vijon që prej 3 dekadash, pas rrëzimit të regjimit komunist, komponenti kryesor është emigracioni dhe lindshmëria që ka rënë me 65 % që prej vitit 1990. Ndërsa popullsisë së Shqipërisë, për shkak të emigracionit, sot i mungojnë rreth 1 milion e 112 mijë banorë, ose afro 38.8% e popullsisë aktuale, përcjell albinfo.ch.
Nga ana tjetër, zyrtarët nuk e shohin me shqetësim emigracionin, ndërsa thonë se po tentojnë të krijojnë një zonë ekonomike në rajon për lëvizjen e mallrave të kapitaleve dhe njerëzve. Nga ana tjetër, ekspertët kanë kritika për mungesën e tregjeve të punës për të rinjtë dhe largimin e të kualifikuarve nga vendi.
Në Shqipëri ka një debat të vazhdueshëm mbi zhvillimet demografike të tre dekadave të fundit. Sipas Instat, popullsia (rezidente) e Shqipërisë është mbi 2 milionë e 850 mijë banorë, shkruan voa.
Në një raport të OKB-së, publikuar pak kohë më parë, thuhej se sipas parashikimit më pesimist, në vitin 2100 Shqipëria do të ketë 18 % të popullsisë aktuale dhe në parashikimin optimist 66%. Zyrtarët shpjegojnë se parashikimi i OKB-së ka kufizime në saktësi.
Po ashtu, parashikimet nga Instat për popullsinë shkojnë deri në vitin 2061 dhe skenari i mesëm parashikon që në Shqipëri do të ketë 73% të popullsisë aktuale. Ekspertë të demografisë thonë se nuk ka vend për shqetësime në parashikimet afatgjata. “Projeksionet bëhen duke pasur parasysh nivelin e lindshmërisë në të kaluarën, nivelin e vdekshmërisë në të kaluarën dhe atë të emigracionit. Këto projeksione janë bazuar mbi faktin se kanë mbajtur të njëjtat nivele të këtyre tre fenomeneve. Dhe prandaj këto parashikime dalin me ca shifra të frikshme, jo reale për periudhat afatgjata”, thotë Arjan Gjonçaj, profesor i demografisë në “London School of Economics” në Angli.
Në vitet 70-80 Shqipëria kishte rritjen më të lartë të popullsisë në Europë, me 2% në vit, aktualisht rritja është negative me -0.35%. Popullsia e Shqipërisë është tkurrur me 15% që prej vitit 1989, kur kishte afro 3 milionë e 300 mijë banorë. Komponentët që ndikojnë në rritjen ose rënien e popullsisë janë lindjet, vdekjet, imigracioni, dhe emigracioni. Në rastin e Shqipërisë emigracioni është faktori kryesor i tkurrjes. Në 29 vjet për shkak të emigracionit në Shqipëri mungojnë afro 1 milion e 112 mijë banorë ose 38.8 % e popullsisë aktuale . “Nga studimi ynë rezultoi se dëshirojnë të emigrojnë më shumë nga Shqipëria të punësuarit, personat me arsim të lartë dhe kualifikim të lartë. Ndërsa në 2007 dëshrionin të emigronin të papunët, më të varfrit, të pakualifikuarit dhe të paarsimuarit”. Zyrtarët i kanë analizuar këto shqetësime në lidhje me largimin e personave të kualifikuar nga vendi dhe kanë këtë qasje mbi situatën.
“Natyrisht që do t’i mungojnë Shqipërisë shqiptarët që kanë mëndje të ndritur, por nga ana tjetër edhe do t’i vijnë njerëz të këtij lloji. Sepse çfarë po kërkojmë ne të realizojmë? Po kërkojmë të bëjmë atë që quhet zona ekonomike rajonale, ku përveç integrimit në BE, edhe vendet e Ballkanit perëndimor të kenë një mundësi të lëvizjes së kapitalit të profesioneve të shërbimeve dhe të mallrave”- u shpreh Milva Ekonomi, Kryetare e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë. Sipas monitorimit të Qendrës për Studime Ekonomikë dhe Sociale vihet re se emigrimi potencial i të rinjve është i lartë.
“Emigrimi potencial tek studentët që studiojnë në univeristetet publike dhe private në Shqipëri është mjaft i lartë, rreth 79%. Ndërsa po të shohim studentët shqiptarë që aktualisht studiojnë jashtë, 94% e tyre nuk dëshirojnë të kthehen në vend”- thotë zoti Ilir Gëdeshi. Disa studentë i thanë Zërit të Amerikës se shtysa e tyre drejt Perëndimit është mungesa e tregut të punës kryesisht për degët e reja por dhe korrupsioni në vend.
“Përderisa po jetojmë në një vend ku ka shumë korrupsion, nuk mendoj se e ardhmja për ne studentët është shumë e madhe këtu”, thotë studentja Zeraldina Aliu. “Dega ku studioj unë, në inxhinierinë ekonomike, është e re, dhe nuk besoj se mund të ketë shumë mundësi pune, pasi të mbaroj studimet”, shprehet Mario Spano, student në Universitetin Politeknik të Tiranës.
Ekspertët mendojnë se emigrimi do vazhdojë përsa kohë zhvillimi ekonomik dhe social i vendit do të jetë i paqëndrueshëm dhe se këtë e tregojnë dhe shifrat e azilkërkuesve shqiptarë në vendet e Bashkimit Evropian, rreth 178 mijë në harkun kohor 2010 – 2018, sipas Eurostat. /Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje Zadi Balassi është udhëheqës projektesh në ndërtim të lartë dhe të ulët pranë Qytetit të Cyrihut.... -
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit -
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë -
Sunny Hill po kthehet në pikën kryesore të takimit të diasporës shqiptare -
“Sot me 200 mijë euro blini një apartament ëndrrash në Shqipëri, pas disa vitesh vetëm gjysmën”
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve














