Kosova

27 vjetori i Policisë së Kosovë, Kurti: Shtrirje në gjithë vendin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vuri në dukje shtrirjen e rendit dhe ligjit edhe në veri të Kosovës

Policia e Kosovës ka shënuar sot 27-vjetorin e krijimit të saj.

Në një ceremoni solemne, të zhvilluar nën moton “Një rrugëtim i përbashkët një mision i përhershëm”, u vlerësua kontributi i zyrtarëve policorë ndër vite, ndërsa u përkujtuan edhe pjesëtarët që humbën jetën gjatë kryerjes së detyrës.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, deklaroi se gjatë këtyre 27 viteve Policia e Kosovës ka kaluar nëpër një proces të vazhdueshëm transformimi dhe profesionalizimi.

“Më 6 shtator 1999, 176 kadetë nisën trajnimin si gjenerata e parë e Policisë së Kosovës. Kosova e sapo çliruar kishte nevojë për një institucion që do ta vendoste zbatimin e ligjit në themel. Nga ata 176 kadetë të parë në më shumë se 9 mijë zyrtarë policorë që janë sot, Policia e Kosovës është rritur. Policia e Kosovës është një nga institucionet më të besueshme në vend. Çdo qytetar, pavarësisht se kush është, duhet ta ndjejë se përballë tij është një institucion që e mbron. Në 27 vjet Policia e Kosovës ka bërë rrugë të gjatë në aspekt profesional dhe operacional. Policia e Kosovës është një pjesë e bashkëpunimit më të gjerë me institucionet ndërkombëtare. Kjo është dëshmi se policia ka ndërtuar një nivel profesionalizmi. Andaj anëtarësimi i Kosovës në Interpol mbetet i rëndësishëm”, ka deklaruar ajo.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vuri në dukje shtrirjen e rendit dhe ligjit edhe në veri të Kosovës.

Ai theksoi se mbështetja për Policinë e Kosovës do të vijojë përmes pajisjeve moderne dhe përmirësimit të kushteve të punës, transmeton albinfo.ch.

“Kosova është më e sigurt se asnjëherë më parë. Themelimi i Policisë së Kosovës 27 vjet më parë përkon me çlirimin tonë. Policia është angazhuar për shtet që funksionon e ku ngadhënjen rendi e ligji. Policia respekton dhe ruan qytetarët pa dallim duke zbatuar ligjin. Përgjatë 5 viteve të fundit krahas rritjes për 50 për qind të buxhetit të policisë, janë ngritur dhe forcuar mbi 20 stacione në gjithë veriun atje ku më parë nuk kishte asnjë institucion. Prania e institucioneve në veri ishte kyçe edhe për gjetjen e varrezave masive të luftës së fundit”, ka shtuar ai.