Lajme
Zvicra përballet me skenarin e rëndë klimatik: Temperaturat mund të rriten deri në 4.9°C
Një rritje e tillë e temperaturave do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në jetën e përditshme
Zvicra mund të jetë ndër vendet evropiane që do t’i ndiejë më fuqishëm pasojat e ndryshimeve klimatike. Nëse temperatura mesatare globale rritet me 3 gradë Celsius krahasuar me periudhën paraindustriale, ngrohja mesatare në Zvicër mund të arrijë rreth 4.9 gradë Celsius.
Hulumtimet dhe skenarët më të fundit klimatikë tregojnë se Zvicra po ngrohet dukshëm më shpejt se mesatarja globale, ndërsa pa reduktime të fuqishme të emetimeve të gazrave serrë, pasojat gjatë dekadave të ardhshme mund të bëhen edhe më të theksuara.
Sipas skenarëve Climate CH2025, të hartuar nga MeteoSwiss dhe ETH Zurich, në një botë ku temperatura globale është 3°C më e lartë se në periudhën paraindustriale, temperatura mesatare në Zvicër do të ishte rreth 4.9°C më e lartë, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.
Tashmë ndryshimet janë të konsiderueshme. Deri në vitin 2024, temperatura mesatare në Zvicër ishte rreth 2.9°C mbi nivelin paraindustrial, krahasuar me rreth 1.3°C në nivel global.
Vera më të thata dhe më shumë valë të të nxehtit
Një rritje e tillë e temperaturave do të kishte pasoja të drejtpërdrejta në jetën e përditshme.
Zvicra do të përballej me valë më të shpeshta dhe më intensive të të nxehtit, vera më të thata, reshje të dendura më intensive dhe dukshëm më pak borë.
Në një skenar global prej 3°C, një thatësirë tipike verore në Zvicër parashikohet të jetë rreth 44 për qind më intensive. Po ashtu, dita më e nxehtë e vitit do të ishte mesatarisht rreth 4.4°C më e nxehtë sesa gjatë periudhës referente 1991–2020.
Në qytete pasojat do të ndiheshin veçanërisht gjatë natës. Në Cyrih, për shembull, numri mesatar i netëve tropikale mund të jetë rreth pesë herë më i lartë.
Gjithnjë e më pak borë
Ndryshimet do të preknin fuqishëm edhe dimrat zviceranë.
Vija mesatare ku temperatura arrin zero gradë gjatë dimrit pritet të ngrihet edhe për rreth 550 metra, duke arritur afërsisht në 1,450 metra mbi nivelin e detit.
Kjo do të thotë se një pjesë më e madhe e reshjeve dimërore do të bien në formë shiu dhe jo bore, ndërsa shtresa natyrore e borës do të vazhdojë të zvogëlohet, veçanërisht në zonat me lartësi më të ulët.
Akullnajat tashmë po humbin me shpejtësi
Pasojat janë të dukshme edhe sot.
Vetëm gjatë vitit 2026, akullnajat zvicerane kanë humbur më shumë se 5 për qind të vëllimit të tyre, pas një dimri me pak borë dhe një vere të karakterizuar nga valë rekord të të nxehtit.
Gjatë pesë vjetëve të fundit, Zvicra ka humbur afërsisht 20 për qind të vëllimit të përgjithshëm të akullnajave, ndërsa disa prej akullnajave më të vogla janë zhdukur plotësisht.
Çdo pjesë e një grade ka rëndësi
Shkencëtarët theksojnë se skenari më i rëndë nuk është i pashmangshëm.
Reduktimi i emetimeve globale të gazrave serrë mund të kufizojë ndjeshëm ngrohjen dhe pasojat e saj. Sipas ekspertëve të ETH Zurich dhe MeteoSwiss, çdo e dhjeta e një grade ngrohjeje që mund të shmanget zvogëlon ndikimin mbi natyrën, ekonominë dhe shoqërinë.
Nëse bota arrin objektivin e emetimeve neto zero deri në vitin 2050, një pjesë e madhe e ngrohjes së mëtejshme afatgjatë dhe shumë prej pasojave të saj mund të shmangen.
Megjithatë, skenarët klimatikë tregojnë gjithashtu se Zvicra duhet të përgatitet për një klimë më të nxehtë, vera më të thata, reshje ekstreme më intensive dhe dimra me gjithnjë e më pak borë.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Zvicër
250 shtetas nga Kosova dhe Shqipëria u dënuan me dëbim nga Zvicra në vitin 2025 Të dhënat zyrtare tregojnë se 200 shtetas shqiptarë dhe 50 shtetas kosovarë u dënuan me masën... -
Olsi Çala fiton çmimin e Salzburgut për zhvillimin e skenarit filmik -
Pesëmbëdhjetë vjet. Dhe tani, vazhdimi -
15 vjet albinfo.ch – kemi ecur bashkë me komunitetin shqiptar në Zvicër dhe gjetiu -
Rame Lahaj drejt koncertit në Cyrih, shiten 80 për qind e biletave
Jeta në Austri
-
Olsi Çala fiton çmimin e Salzburgut për zhvillimin e skenarit filmik Skenaristi dhe gazetari me origjinë nga Shqipëria u vlerësua për projektin “Do Stars Also Have Wishes?”,... -
Tre shqiptarë në mesin e gjashtë të arrestuarve në Austri, kapen 11 kilogramë kokainë -
Vjenë
Rinesa Dinaj me karrierën shkencore në Vjenë, specializohet në mikrobiologji molekulare -
Si të kontrolloni rrezikun e përmbytjeve para se të merrni me qira ose të blini një shtëpi në Austri? -
Austria planifikon pushim të paguar për gratë pas abortit spontan












