Zvicra ka riafirmuar angazhimin e saj për mbështetjen e arsimit profesional dhe politikave të punësimit në Shqipëri përmes nënshkrimit të dy marrëveshjeve të reja bashkëpunimi, përcjell albinfo.ch.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber, ka nënshkruar marrëveshje që do t’i mundësojnë UNDP Albania dhe Swisscontact të vazhdojnë punën në forcimin e sistemit të Arsimit dhe Trajnimit Profesional Dual, si dhe në avancimin e politikave të punësimit.
Mbështetja do të realizohet përmes projekteve “Zhvillimi i Aftësive për Punësim” (SD4E) dhe “Aftësi për Punë” (S4J), të cilat synojnë përmirësimin e cilësisë së arsimit profesional dhe përshtatjen e tij me nevojat e tregut të punës.
Sipas njoftimit, projektet do të kontribuojnë në zhvillimin e reformave si në nivel institucional dhe politikash, ashtu edhe në nivel të shkollave profesionale, duke u ofruar të rinjve aftësi më të mira për punësim dhe integrim në tregun e punës.
Zvicra mbetet një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë në mbështetjen e reformave në arsimin profesional, me fokus të veçantë në lidhjen e arsimit me kërkesat e ekonomisë dhe sektorit privat. /Albinfo.ch