Kosova

Syla: FSK, në rrugë të mbarë drejt përmbushjes së kritereve të NATO-s  

“Ministria e Mbrojtjes vlerëson shumë lart vlerat e çmuara të diasporës sonë, si pasuri unike të kombit dhe atdheut, dhe FSK do të ishte e nderuar që në radhët e saj të ketë djemtë dhe vajzat tona nga diaspora”

Më 17 shkurt shënojmë 15-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është njëra ndër shtyllat më vitale të shtetësisë të shtetit, prandaj ajo ka dhe rolin simbolik që përkon me karakterin festiv të këtij përvjetori jubilar. Për këtë arsye, Albinfo.ch ka vendosur që në numrin festiv, kushtuar 15-vjetorit të pavarësisë, të prezantojë FSK-në, duke intervistuar zëvendësministrin e parë në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Shemsi Sylën.   

Syla, me këtë rast flet për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së, bashkëpunimin e saj me ushtritë e vendeve anëtare të NATO-s, trajtimin që FSK u bën kandidatëve nga diaspora që duan t`i shërbejnë ushtrisë së Kosovës, etj.  

Albinfo.ch: Jemi në përvjetorin e 15-të të shtetësisë së Kosovës. Si e gjen ky përvjetor Forcën e Sigurisë së Kosovës sa u përket kapaciteteve, sidomos në kohën kur rajoni por edhe Kosova përballen me sfida të sigurisë? 

Sh.Syla: Përvjetori i 15-të Forcën e Sigurisë së Kosovës, respektivisht Ushtrinë e Republikës së Kosovës e gjen në proceset e fuqishme zhvillimore në të gjitha strukturat e saj organizative e operacionale dhe të gatshme për t’u përballur me të gjitha sfidat e  mjedisit të sigurisë, e integruar në aleancën euroatlantike që mbron vlerat e lirisë, paqes e demokracisë. 

Albinfo.ch: A po vazhdojnë përgatitjet e ushtarëve të Kosovës për t’u angazhuar në misione të jashtme paqësore? 

Sh.Syla: Ndër objektivat kryesore strategjike të qeverisë sonë është zhvillimi dhe avancimi i aftësive dhe kapaciteteve operacionale ushtarake të ndërveprueshme me forcat e vendeve partnere, anëtare të NATO-s për pjesëmarrje efektive në misione të përbashkëta paqeruajtëse dhe të stabilitetit. Këtë e kemi konfirmuar suksesshëm në misionin e përbashkët me forcat amerikane në Kuvajt, pastaj në operacionin e mbështetjes së NATO/ SHBA-së për evakuimin dhe akomodimin e refugjatëve afganë, si dhe gatishmërinë tonë për mbështetje në iniciativat e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës. 

Albinfo.ch: Kur flasim për Ministrinë e Mbrojtjes, cili është bashkëpunimi i kësaj ministrie me shtetet fqinje dhe aleatët e NATO-s? A po ndërmerr Kosova hapa për modernizimin e ushtrisë së Kosovës? 

Sh.Syla: Si Ministri e Mbrojtjes, ndër synimet kryesore strategjike kemi thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me partnerët aktual si dhe zgjerimin e spektrit të vendeve partnere. 

Një mundësi e shkëlqyeshme për ne në këtë aspekt është prania e përhershme në Ministrinë e Mbrojtjes e Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s si dhe partneriteti mbi 10 vjeçar me Gardën Kombëtare të Iowa-s. 

Përveç partneritetit të ngushtë me SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Turqinë e Kroacinë dhe vende tjera, kemi bashkëpunim të ngushtë e të natyrshëm vëllazëror me Shqipërinë, si dhe me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, si vende fqinje dhe anëtare të NATO-s. 

Albinfo.ch: Duke qenë se FSK ka vetëm disa vjet prej kur është shndërruar në ushtri, cilat janë sfidat në implementimin e reformës në sektorin e mbrojtjes? 

Sh.Syla: Ne jemi në fazën e dytë të Planit Gjithëpërfshirës së Tranzicionit, ku së bashku me partnerët tanë kemi kaluar në mënyrë të kënaqshme fazën e parë dhe presim që me sukses të plotë ta realizojmë këtë plan 10 vjeçar. Qeveria ka bërë një ngritje të theksuar të buxhetit për fushën e sigurisë në përgjithësi dhe ushtrisë duke ndarë rreth 20% më shumë buxhet në këtë vit se vitin e kaluar, ndërsa në vitin e kaluar kishte dyfishuar buxhetin në raport me vitin paraprak. Pra, kemi vazhdimisht ngritje dhe synojmë arritjen e kriterit të NATO-së që është ndarja e 2% të Bruto Produktit Vendor që do të ishte e mjaftueshme për reformimin e plotë të sektorit të Mbrojtjes. 

Albinfo.ch: A ka një strategji për të rritur numrin e pjesëtarëve të diasporës në FSK ose ndonjë program për pjesëtarët e diasporës që të integrohen në FSK dhe të përshtaten me sistemin e ushtrisë në Kosovë? Çfarë kritere duhet të përmbushin pjesëtarët e diasporës që të aplikojnë për t’u bërë pjesë e FSK-së? 

Sh.Syla: Ministria e Mbrojtjes vlerëson shumë lartë kapacitetet dhe vlerat e çmuara të diasporës sonë në të gjitha dimensionet, si pasuri unike të kombit dhe atdheut, dhe FSK do të ishte e nderuar që në radhët e saj të ketë djemtë dhe vajzat tona nga diaspora jonë nëse vendosin që të shërbejnë në FSK nën kushte të barabarta me të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. 

Meqë i gjithë sistemi organizativ dhe operacional i FSK-së është i ndërtuar dhe zhvilluar sipas praktikave dhe doktrinës së vendeve anëtare të NATO-s, do të jetë shumë i lehtë integrimi i secilit që na vjen nga diaspora. Gjithashtu, ne bëjmë vazhdimisht hulumtime për mënyrat e rekrutimit nga vendet e ndryshme të botës me praktikat më të mira. Ndër to kemi realizuar vizitë edhe në Ministrinë e Mbrojtjes të Zvicrës dhe në qendrën e tyre të rekrutimit për ta parë edhe mënyrën e tyre të rekrutimit dhe besojmë që në të ardhmen do të jetë edhe më e lehtë përfshirja e secilit që dëshiron të japë kontribut në sistemin e mbrojtjes së Republikës së Kosovës. 

Rritje e theksuar e buxhetit të FSK-së 

Qeveria ka bërë një ngritje të theksuar të buxhetit për fushën e sigurisë në përgjithësi dhe ushtrisë duke ndarë rreth 20% më shumë buxhet në këtë vit se vitin e kaluar, ndërsa në vitin e kaluar kishte dyfishuar buxhetin në raport me vitin paraprak. Pra, kemi vazhdimisht ngritje dhe synojmë arritjen e kriterit të NATO-së që është ndarja e 2% të Bruto Produktit Vendor që do të ishte e mjaftueshme për reformimin e plotë të sektorit të Mbrojtjes.