Skip to content

Transferet bankare brenda sekondash nisin në Kosovë, ja si funksionon sistemi i ri

Sistemi TIPS-K mundëson transfere ndërmjet bankave pjesëmarrëse në çdo orë, edhe gjatë fundjavave dhe festave. Fillimisht lejohen pagesa deri në 3 mijë euro.

Në Kosovë ka nisur sot, më 23 nëntor, funksionimi i Sistemit të Pagesave të Shpejta TIPS-K. Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se janë realizuar me sukses edhe transferet e para të menjëhershme për qytetarët dhe bizneset, përcjell albinfo.ch.

Sistemi mundëson që paratë të kalojnë ndërmjet llogarive në banka të ndryshme pjesëmarrëse brenda pak sekondash, 24 orë në ditë, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare.

Shërbimi përdoret përmes llogarive ekzistuese dhe kanaleve digjitale të bankave, pa nevojën për hapjen e një llogarie apo instalimin e një aplikacioni të ri.

Zbatimi po bëhet gradualisht. Bankat e tjera duhet të përfundojnë lidhjen me sistemin deri më 23 shkurt 2027.

Sipas listës së publikuar nga BQK-ja, bankat e para pjesëmarrëse janë ProCredit Bank, Banka për Biznes, Raiffeisen Bank dhe NLB Banka.

Në fazën fillestare, kufiri është 3 mijë euro për transaksion. Tarifat janë:

  • Deri në 300 euro: pa pagesë gjatë tre muajve të parë, deri më 23 shkurt 2027. Nga 24 shkurti, tarifa do të jetë 5 centë.
  • Mbi 300 deri në 3 mijë euro: tarifë maksimale prej 15 centësh për transfer.

Brenda vitit të parë parashihet rritja e kufirit në 10 mijë euro. Për shumat mbi 3 mijë deri në 10 mijë euro, tarifa maksimale do të jetë 30 centë.

TIPS-K shërben për transfere brenda Kosovës. Në këtë fazë, ai nuk mundëson automatikisht pagesa të menjëhershme nga diaspora drejt bankave në Kosovë./Albinfo.ch