Skip to content

Vinçat e shumtë të ndërtimit po ndryshojnë pamjen e Cyrihut

Aktiviteti i lartë ndërtimor ka bërë që vinçat të jenë të pranishëm në shumë pjesë të qytetit. Megjithatë, sipas ekspertëve, kjo situatë nuk është e pazakontë për një qytet ku hapësirat e lira për ndërtime të reja janë gjithnjë e më të kufizuara.

 

Pamja e Cyrihut është shoqëruar së fundmi nga një numër i madh vinçash ndërtimi, të cilët janë bërë pjesë e dukshme e peizazhit urban. Për disa banorë, prania e tyre po e ndryshon pamjen karakteristike të qytetit, ndërsa të tjerë pyesin se çfarë përshtypjeje mund të krijojë kjo te turistët që vizitojnë Zvicrën, përcjell  albinfo.ch.

Një qytetar, i cili ka ndarë vërejtjet e tij me portalin “20 Minuten”, shprehet se vizitorët që presin të shohin pamjet piktoreske të Cyrihut mund të zhgënjehen kur përballen me shumë vinça të kuq dhe portokalli nëpër qytet.

Megjithatë, aktiviteti i shtuar ndërtimor nuk konsiderohet i pazakontë nga autoritetet dhe ekspertët. Sipas Departamentit të Ndërtimeve të Larta të qytetit dhe Sibylle Wälty, ligjëruese në ETH Cyrih, ritmi i ndërtimeve është i lartë, por përputhet me zhvillimin urban të qytetit.

Një nga arsyet kryesore është mungesa e tokave të lira. Meqë pothuajse nuk ka më hapësira të pandërtuara, projektet e reja realizohen kryesisht në parcela ku tashmë ekzistojnë ndërtesa, të cilat zëvendësohen ose zhvillohen më tej.

Kështu, Cyrihu po përballet me një proces të vazhdueshëm transformimi urban, ku nevoja për banesa dhe hapësira të reja pune reflektohet edhe në pamjen e përditshme të qytetit./Albinfo.ch