Kantoni zviceran i Valais ka ndaluar nga 1 korriku hapjen e ofruesve të rinj privatë të kujdesit shëndetësor në shtëpi, me synim frenimin e rritjes së shpenzimeve në këtë sektor.
Autoritetet kantonale thonë se disa kompani private po i rrisin kostot për sistemin e sigurimit shëndetësor, duke faturuar më shumë orë pune për të njëjtat shërbime dhe duke u përqendruar kryesisht në rastet më fitimprurëse.
Këshilltari shtetëror i Valais, Mathias Reynard, theksoi se qëllimi është ruajtja e një kujdesi cilësor dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, duke mbrojtur rolin e shërbimeve publike të kujdesit në shtëpi.
Organizatat private i kanë kundërshtuar këto akuza, duke deklaruar se ato plotësojnë shërbimet publike dhe shpesh marrin përsipër raste më komplekse që kërkojnë më shumë kohë dhe staf.
Valais është kantoni i dytë zviceran, pas Ticinos, që vendos kufizime për zgjerimin e operatorëve privatë në këtë fushë. Kantonet e tjera frankofone, si Vaud, Fribourg, Jura dhe Gjeneva, po e monitorojnë situatën, por nuk kanë vendosur masa të ngjashme.
Sektori i kujdesit në shtëpi është rritur ndjeshëm në Zvicër vitet e fundit, ndërsa debati për balancën mes shërbimeve publike dhe atyre private vazhdon.