Kosova
Tensione dhe përplasje në Kuvendin e Kosovës
Salla e Kuvendit të Kosovës është përfshirë nga tensionet të mërkurën, ku deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa situata ka eskaluar edhe në përplasje fizike dhe përplasje verbale mes deputetëve.
Salla e Kuvendit të Kosovës është shndërruar të mërkurën në skenë tensionesh mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), transmeton albinfo.ch.
Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë qëndruar në sallën e Kuvendit, duke kërkuar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, që të ftojë vazhdimin e seancës konstituive të Legjislaturës së 11-të.
Tensionet janë shfaqur gjatë aktiviteteve të planifikuara me qytetarë dhe të rinj, të cilat sipas raportimeve janë penguar nga prania dhe protestat e deputetëve opozitarë. Në disa raste ka pasur edhe shtyrje fizike mes deputetëve, ndërsa disa prej figurave të Vetëvendosjes nuk janë lejuar të adresohen para qytetarëve dhe gazetarëve.
Gruda: Absurde të kërkohet interpretim i interpretimit
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka kritikuar mundësinë e dërgimit të çështjes përsëri në Gjykatën Kushtetuese.
“Ne kemi bërë opozitë institucionale me vite, kemi fituar raste në Gjykatë, lënda e konstituimit ka shkuar Gjykatë. S’mund të shkojmë edhe një herë për të interpretuar interpretimin. Është absurd që s’merr fund kurrë”, ka deklaruar Gruda.
Ai ka argumentuar se edhe disa kushtetuta evropiane përcaktojnë afate për konstituimin e parlamenteve, por jo domosdoshmërisht pasojat në rast të mosrespektimit të tyre.
Përplasje fizike mes Lushtakut dhe Rrustemit
Situata ka eskaluar edhe në përplasje fizike ndërmjet deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, dhe deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi.
Sipas raportimeve, fillimisht Lushtaku e ka shtyrë Rrustemin, i cili më pas ka reaguar. Në situatë kanë ndërhyrë deputetë të tjerë, përfshirë Artan Behramin dhe Ardian Golën, për ta qetësuar përplasjen.
Musliu gjuan me ujë Gërvallën
Tensionet kanë vazhduar edhe ndërmjet deputetëve të tjera.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e ka gjuajtur me ujë deputeten e LVV-së, Donika Gërvalla, gjatë zhvillimeve në sallën e Kuvendit.
Ndërkohë, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, është përplasur me deputeten e LVV-së, Arbërie Nagavci, duke e shtyrë teksa kjo e fundit po përpiqej të hynte në sallë.
Nagavci, megjithatë, ka arritur të hyjë në sallë dhe situatën e ka cilësuar si “show” të opozitës.
“Demokraci”, “UÇK” – Gërvallës i pamundësohet fjala
Deputetët e PDK-së nuk e kanë lejuar ministren në detyrë të Drejtësisë, Donika Gërvalla, të flasë në aktivitetin me qytetarë.
Gjatë përpjekjes së saj për t’iu drejtuar të pranishmëve, nga deputetët opozitarë janë dëgjuar thirrjet “Demokraci” dhe “UÇK”.
Një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është përballur me thirrjet e deputetëve të PDK-së për vazhdimin e seancës konstituive.
Pas përplasjes me deputetët e PDK-së, Haxhiu nuk e ka vazhduar aktivitetin me të rinjtë dhe ka bërë të ditur se nuk do ta mbajë as konferencën për media në hollin e Kuvendit përderisa deputetët e PDK-së ndodhen aty.
Edhe mërgimtarët përfshihen në debatet në Kuvend
Tensionet dhe debatet nuk janë kufizuar vetëm te deputetët. Edhe disa prej bashkatdhetarëve të pranishëm në Kuvend janë përfshirë në diskutime me përfaqësuesit politikë, duke shprehur qëndrimet e tyre për situatën e krijuar.
Në disa raste, mërgimtarët kanë debatuar edhe me deputetë të opozitës, duke kundërshtuar qëndrimet e tyre dhe duke kërkuar që Kuvendi të rifillojë punën dhe të përmbushë përgjegjësitë e tij institucionale.
Një nga momentet që ka tërhequr vëmendje ishte përplasja verbale mes një mërgimtareje dhe deputetit të Vetëvendosjes, Arbër Qorrolli, gjatë së cilës ajo i është drejtuar deputetit me fjalët: “Jeni trupi i vendit”. Momenti është filmuar, ndërsa deputeti është tërhequr pasi ka vërejtur kamerën, transmeton tutje albinfo.ch.
Debatet mes mërgimtarëve dhe deputetëve kanë vazhduar edhe në raste të tjera, duke treguar se situata e krijuar në Kuvend ka ngjallur reagime dhe qëndrime të ndryshme edhe te qytetarët që ndodhen jashtë vendit.
Kurti shmang përgjigjen për kërkesën e PDK-së
Ndërkohë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka dhënë përgjigje konkrete kur është pyetur lidhur me kërkesën e PDK-së për vazhdimin e seancës konstituive.
I pyetur nëse do t’i përgjigjet kësaj kërkese, Kurti është përgjigjur duke iu referuar një aktiviteti të planifikuar për të rinjtë.
“E kemi një takim për rininë në Ditën Ndërkombëtare të saj në Kryeministri”, ka deklaruar Kurti, sipas EO.
PDK-ja ka kërkuar ndërkohë që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme, duke insistuar se deputetëve duhet t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga qytetarët./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore Shkëmbimet tregtare mes Zvicrës dhe Kosovës kanë shënuar zhvillim dinamik gjatë viteve të fundit. Vetëm në... -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026 -
“Re:Connect” bashkoi 16 të rinj nga Zvicra dhe Kosova në Prizren
Jeta në Austri
-
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së Ministrja austriake për Evropën, Claudia Bauer e ÖVP-së, ka përsëritur thirrjen e saj për një buxhet... -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë? -
Vjena shqyrton qasjen falas në të gjitha tualetet publike











