Lajme
Të rinjtë, instrument i partive politike
Shumë tinejxherë shihen nëpër protesta duke gjuajtur koktej molotovi, gurë e gjësende të tjera në drejtim të policisë. Ata janë shndërruar në instrument të partive politike
Polarizimet politike në Kosovë, përveç që kanë stopuar zhvillimin ekonomik, integrues e parlamentar, ato kanë reflektuar në masë të madhe edhe tek të rinjtë. Madje shumë tinejxherë shihen nëpër protesta duke gjuajtur koktej molotovi, gurë e gjësende të tjera në drejtim të policisë. Ata janë shndërruar në instrument për realizmin e qëllimeve politike.
Në një aktet zhvilluar nga REL, të rinjtë thonë se ajo që po ndodh në skenën politike në vend, si dhe sjelljet e partive politike, janë zhgënjyese për rininë.
Ylber Salihu është student në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës. Ai vlerëson se përplasjet e partive politike në Kosovës, kohët e fundit, po krijojnë efekte të rënda për shoqërinë, përfshirë edhe të rinjtë.
“Përplasjet ndërmjet partive i shoh si mungesë të kulturës politike në Kosovë. Përgjithësisht, të rinjtë janë ndarë në dy grupe të mëdha, ata që e mbështesin opozitën dhe ata që e mbështesin pushtetin. Më 17 Shkurt, unë kisha frikën se do të kemi përplasje ndërmjet protestuesve dhe atyre që dalin të festojnë. Por, fatmirësisht, nuk ndodhi kjo”, thotë Ylberi.
Fadil Krasniqi, student në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore në Universitetin e Prishtinës, thotë se sjellja dhe përplasjet e partive politike kanë krijuar shqetësim te të rinjtë, por edhe ndasi, që shoqërohen me polemika.
“Po, ka krijuar polemika, sepse të rinjtë nuk janë të informuar qartë se çfarë po ndodh. Nëse u thua të dalin në protesta, ata dalin. Pastaj, gjuajnë me gurë, sulmojnë me koktej molotovi dhe të tjera. Kjo e prish imazhin e të rinjve. Po i përdorin të rinjtë. Nuk po dalin ata (politikanët) vetë që të gjuajnë, por po i përdorin të rinjtë si një lloj mjeti”, tha ai.
Dardan Breznica, maturant në një shkollë të mesme të Prishtinës, nuk e sheh dhunën si mjet zgjidhjeje të problemeve në politikë. Megjithatë, ai e pranon se të rinjtë, përfshirë edhe vetë atë, po i nënshtrohen reflektimit negativ të përplasjes ndërmjet partive politike në Kosovë.
Megjithatë, Drenusha Salihu, studente e Kontabilitetit në Kolegjin UBT, beson që përplasjet e partive politike, nuk kanë ndonjë ndikim te të rinjtë, përveçse në zbehjen e imazhit të vendit.
“Në fakt, nuk ka ndonjë ndikim të drejtpërdrejtë në mua ose te shumica e të rinjve, por thjesht e prishin imazhin e vendit tonë dhe mund të na gjykojnë vendet tjera. Ndoshta, shumica e të rinjve janë jopartiak ose nuk ju intereson shumë për parti”, shprehet ajo.
Edison Kasumaj, student në Fakultetin e Biologjisë në Universitetin e Prishtinës, mendon se përplasja e partive politike nuk është parimore, prandaj, të rinjtë duhet të qëndrojnë larg këtyre përplasjeve.
“Këto janë konflikte interesi më shumë. Konflikte pozicionesh. E kam këtë bindje sepse edhe këta që janë në opozitë, kanë qenë më herët në pushtet. E kanë pasur avazin e njëjtë me këta që janë tash në Qeveri. Kanë qeverisur dhe kanë vjedhur të dyja palët. Janë përfshirë në afera kriminale dhe nuk ka pasur gjykatë t’i dënojë”, konsideron ai.
Nëpër protestat e fundit, kryesisht ato që ishin të dhunshme, janë parë shumë të rinj që gjuanin me koktej molotovi, gurë e gjësende të tjera në drejtim të Policisë, por edhe objekteve qeveritare. Institucionet dhe organizata jo-qeveritare u kanë bërë thirrje disa herë nxënësve të shkollave të mesme, që mos të marrin pjesë nëpër protesta.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Ambasadorët dhe bizneset diskutojnë mundësitë për investime dhe bashkëpunim ekonomik Forumi Business to Ambassador (B2A), i zhvilluar në kuadër të Konferencës së IX të Ambasadorëve, mblodhi... -
Bebe Rexha arrin një tjetër sukses, “New Religion” kalon 100 milionë dëgjime në Spotify -
Prishtinë
Kontrollorët alarmojnë për lazerët ndaj avionëve në Prishtinë: “Rrezikohet siguria e qindra udhëtarëve” -
320 të rinj nga diaspora pjesë e programit OriginAL -
“Të largohesh apo të qëndrosh?” – Migrimi dhe dilemat e të rinjve në filmat e DokuFestit
Jeta në Austri
-
Austri: Arrihet marrëveshja, këta klientë të bankës marrin paratë mbrapsht Një "shpërthim i madh" të hënën në Austri! Klientët e Erste Bank dhe të shumë bankave... -
Gratë në Austri marrin rreth 40% më pak pension se burrat -
Vjenë: Vazhdon orari i zgjatur i pishinave -
Vjenë: 72-vjeçari dyshohet se kidnapoi dhe mbajti me dhunë një djalë 4-vjeçar -
Kosovë: Një jetë e re për qentë endacakë













