Integrimi

Të japësh mësim pa diplomë mësuesie? Mungesa e mësuesve e bën të mundur

Departamenti i Arsimit, i Cyrihut ka zbutur zyrtarisht kushtet e punësimit për mësuesit. Kështu, sot mund të aplikojnë për mësues edhe persona ende të pa diplomuar. Dhe, në këto raste, "hyn në lojë" themeluesja e “Vikariats-Netzwerk”, znj. Angela Jetter...

Në prag të pushimeve verore, në letrat që marrin nga shkollat për vitin e ardhshëm shkollor 2022/23, prindërit nuk informohen për emrin e mësuesve por informata që marrin ata është se për shkak të mungesës së madhe të mësuesve vendi i punës së mësuesit, është ende i paplotësuar. Mungesa e mësuesve ka bërë bujë të madhë mediale në të gjithë Zvicrën.

Departamenti i Arsimit, i Cyrihut ka zbutur zyrtarisht kushtet e punësimit për mësuesit. Kështu, sot mund të aplikojnë për mësues edhe persona ende të pa diplomuar (gjermanisht: “Seiten-Einsteiger”). Dhe, në këto raste, “hyn në lojë” themeluesja e “Vikariats-Netzwerk”, znj. Angela Jetter. Ajo lidhë me sukses shkollat dhe mësuesit në tregun e arsimit.

Në vitin 2020, znj. Jetter themeloi rrjetin e vikariateve (zëvendësues të arsimtarëve) “Angela Works”. Në këtë rrjet, mësuesit nga grupi i saj referoheshin në shkolla ku për shembull, mungonte një mësues. Në saje të znj. Jetter së fundmi edhe persona pa diplomë kanë mundësi të regjistrohen në grupin e znj. Jetter. Aty, çdo te martë, bashkë me drejtorë dhe drejtoresha shkollash, znj Jetter i njofton me njëri tjetrin të interesuarit, përmes Zoom-it. Ajo, këtë takim në internet midis drejtorëve dhe mësuesve e quan “Speed-dating” ose shqip; takim i shpejtë.

albinfo.ch: Znj. Jetter. A e ka kompensuar Departementi i Arsimit mungesën e mësuesve në treg përmes lehtësimit të fundit ligjor?

Angela Jetter: Për momentin ende ka shumë vende të lira. Duke parë se kjo temë ka marrë vëmendjen e mediave, gjithnjë e më shumë gurë po rrokullisen. Diçka po lëviz në tregun arsimit. Që nga lehtësimi i ketyre masave, veçanërisht drejtorët e drejtoreshat e guximshëm/e kanë kërkuar “Seiten-Einsteiger” dhe në fakt kanë gjetur njerëz adekuat për ekipin e tyre të shkollës. Sigurisht, disa persona nga grupi im akoma refuzohen pas një interviste të rregullt pune. Sepse situata mbetet e tensionuar, sidomos për pozicione komplekse apo poste që plotësohen vështirë. Sepse në klasa të tilla, si drejtor/ drejtoreshë, nuk mund të shmangësh plotësimin e vendit të lirë ndryshe përveç se me një mësues të kualifikuar dhe me përvojë, pavarësisht zbutjes së kushteva per kontrata të punës.

albinfo.ch: Çfarë duhet të dinë prindërit për temën e “mungesës së mësuesve” dhe si ia shpjegoni këtë term dikujt që nuk vjen nga sektori i arsimit?

Angela Jetter: Kjo është një pyetje me vend. Ndërsa une e vlerësoj situatën, se ka më shumë se mjaftueshëm mësues të trajnuar në treg për të plotësuar të gjitha vendet vakante shumë shpejt. Por, mungesa e mësuesve ka shkaqe të tjera. Sepse profesioni i mësuesit aktualisht ka humbur atraktivitetin e tij, veçanërisht sa u përket mësuesve të sapo ardhur nga fakulteti pedagogjik. Mësuesit e rinj shpesh përdorin diplomën bachelor për fusha të tjera profesionale, planifikojnë të udhëtojnë përpara se të fillojnë karrierën e tyre ose i japin prioritet planifikimit familjar.

Nga ana tjetër, jemi në një kohë kur brezi i “baby boom” (1946-1964) dhe mësuesit nga periudha “baby boom” po dalin në pension. Dhe këto fakte janë arsyeja kryesore e mungeses se arsimtarëve te kualifkuar ne tregun e arsimit. Sepse vetëm në vitin e ardhshëm shkollor do të duhet të hapen klasa për 2500 nxënës dhe në të njëjtën kohë do të mungojë vullneti mes mësuesve të diplomuar për të plotësuar vendet vakante dhe nga ana tjetër gjithnjë e më shumë mësues do të dalin në pension. Ndër të tjera, kjo ka bërë që nga ky vit shkollor zyrtarisht të mundësohet edhe mësimdhënia si “Seiten-Einsteiger” (mësues pa diplomë) në shkollën fillore.

albinfo.ch: Po e përmbledh: Dëmtim i imazhit të profesionit dhe masat lehtësuese që ende nuk po mjaftojnë për “ngopje” në tregun e arsimit. Ju tashmë vendosni mësues të kualifikuar në portalin tuaj por edhe “Seiten-Einsteiger”. A keni përjetuar personalisht ndonjë histori suksesi në lidhje me “Seiten-Einsteiger”dhe nga cilat fusha profesionale vinë shumica e tyre?

Angela Jetter: (qeshet). Po, sigurisht që ka edhe shumë histori suksesi. Shumica e këtyre mësuesve që kanë ndërruar karrierën janë ende nga sektori i arsimit dhe kanë punuar më parë si FaBe, asistentë të klasës ose janë profesionistë nga fusha sociale. Një zëvendës arsimtareje nga grupi im, e cila ka qenë veçanërisht aktive në shkolla të ndryshme këtë vit shkollor është një ish-nxënëse nga koha kur unë vetë isha ende mësuese e shkollës fillore në Winterthur. Në atë kohë, hyra vetë në këtë profesion ende pa qenë e diplomuar dhe stili im i arsimit ishte shumë frontal, por mbeta një konstante e besueshme për klasën time në atë kohë. I nuhata metodat e mësimit nga kolegët e punës dhe gjithashtu mora shumë mbështetje dashamirëse nga drejtoresha e shkollës.
Pas kësaj e fillova fakultetin pedagogjik dhe sot një ish-nxënëse e imja e asaj kohe punon gjithashtu si zëvendës mësuese në rrjetin tim «Angela Works»

albinfo.ch: Dy pyetje të fundit:
Çfarë u rekomandoni prindërve që janë përballur me situatën që mësuesi i ri i fëmijëve të tyre është “Seitein-Einsteiger” dhe ende nuk ka mbaruar fakultetin pedagogjik?

Angela Jetter: Merrni bisedat individuale të fëmijës suaj si pikë referimi për një fillim të suksesshëm në shkollë. A i pëlqen të shkojë në shkollë, a flet për gjëra që i pëlqejnë të bëjë atje apo i duket një temë veçanërisht interesante? Nëse po, ju gjithashtu mund të shikoni me vëmendje dhe me qetësi vitin e ardhshëm shkollor. Nëse, megjithatë, bëhen deklarime se fëmija është veçanërisht i stresuar në shkollë, atëherë duhet të kërkoni fillimisht një bisedë me mësuesin dhe ta bëni këtë në mënyrë dashamirëse dhe pyetëse. P.sh. “Fëmija im është gjithmonë shumë i stresuar për këtë çështje, si e vëzhgoni fëmijën tim në klasë në këtë kontekst?”. Fëmija juaj duhet të kuptojë se të rriturit janë të një fjale dhe të zgjidhin pyetjet dhe paqartësitë në mënyrë konstruktive në një bisedë. Pavarësisht se cilat tema shqetësojnë prindërit, nuk duhet ta sulmoni mësuesin para fëmijës, sepse në fund të fundit, fëmija duhet të kthehet në klasë të nesërmen. Në çdo rast, universitetet dhe PH Unterstrass me zgjidhjet e tyre të përshtatura janë përgjegjëse për kualifikimin profesional të aplikantëve anësorë.

albinfo.ch: Ky është një propozim shumë pragmatik dhe konkret. Së fundi, le të supozojmë se pak para fillimit të vitit shkollor 2022/2023, mediat festojn që ju dhe rrjeti juaj në fakt keni arritur të ndihmoni të gjitha shkollat të plotësojnë vendet e lira të tyre. Si një ish-ndryshuese e karrierës, çfarë këshille keni për ata që fillojnë karrierën e tyre?

Angela Jetter: Jepini vetes dhe fëmijëve kohë për t’u vendosur dhe sigurohuni që të gjithë në klasë të ndihen rehat dhe së shpejti do ta gjejnë rrugën e tyre në mënyrë të pavarur.
– Rregullat dhe ritualet nuk janë vendosur në jetën e përditshme shkollore prej dites së parë. Mos u përpiqni që vetëm të vendosni rregulla të klasës, por negocioni ato së bashku me të gjithë klasën.
– Mundohuni të mbani mend emrat e nxënësve  tuaj që në fillim dhe drejtohuni me emrat e tyre që në fillim. Fëmijët kanë antena për vlerësimin positiv dhe vullnetin e mirë të mësuesit. Kështu lidheni drejtpërdrejt me fëmijët në rolin tuaj të ri si mësues.

(Autor: Driter Gjukaj)