Bisedimet mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, dhe liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kanë përfunduar pas rreth tri orësh diskutime pa një marrëveshje konkrete për formimin e institucioneve të reja.
Pas takimit, Kurti ka deklaruar se ekziston gatishmëri për bashkëpunim mes dy subjekteve politike, por ka theksuar se çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve dhe të kontribuojë në stabilitetin institucional.
“Lajm do të ishte nëse do të kishim arritur marrëveshje politike, por një të tillë nuk kemi. Diskutuam për mundësitë dhe qasjet e ndryshme. Na nevojitet një marrëveshje që e respekton vullnetin e qytetarëve dhe e kthen atë në stabilitet institucional”, ka thënë Kurti.
Ai ka paralajmëruar se mungesa e një dakordimi mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, edhe pse, sipas tij, asnjëra palë nuk e dëshiron një skenar të tillë.
Kreu i VV-së ka bërë të ditur gjithashtu se partia e tij mbetet e hapur për bashkëpunim me LDK-në, duke theksuar se posti i presidentit duhet të ketë karakter përfaqësues dhe jo të jetë pjesë e pazareve politike.
Sipas Kurtit, kandidati për president duhet të jetë një figurë që mund të sigurojë pajtim dhe përfshirje më të gjerë politike.
Ndërkohë, Lumir Abdixhiku e ka vlerësuar takimin si pozitiv dhe ka bërë të ditur se komunikimi mes dy partive do të vazhdojë në ditët e ardhshme.
Ai ka theksuar se për LDK-në nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që përfshin tri institucionet kryesore: Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën.
Abdixhiku ka sqaruar se partia e tij nuk synon postin e kryetarit të Kuvendit, duke e cilësuar atë si një pozitë kryesisht ceremoniale që, sipas tij, duhet t’i takojë subjektit të parë politik.
“Nëse deri më 6 gusht nuk arrihet marrëveshje, i kemi kërkuar që të vazhdojë procesi i konstituimit. Për çështjet e tjera kemi ende hapësirë kohore për diskutime”, ka deklaruar Abdixhiku.
Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar të mbahet më 6 gusht, ndërsa negociatat mes dy partive pritet të vazhdojnë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krijimin e institucioneve.