Shqipëri
Shqipëria me rritjen më të madhe të turistëve gjermanë
Të dhënat e reja tregojnë se dëshira e qytetarëve gjermanë për të udhëtuar mbetet e pandryshuar, pavarësisht krizës. Por më shpesh merren parasysh çmimet, ndaj përfitojnë vendet si Tunizia, Bullgaria dhe Shqipëria.
Pasioni i gjermanëve për udhëtimet nuk është ulur as në kohët më të vështira ekonomike. “Pavarësisht të gjitha sfidave ekonomike dhe gjeopolitike – gjermanët po udhëtojnë! Pushimet duket se janë gjëja e fundit për të cilën ata janë të gatshëm të kursejnë,” thotë presidenti i Shoqatës Gjermane të Agjencive të Udhëtimit (DRV), Norbert Fiebig.
Të ardhurat totale nga sezoni veror, i cili zgjat nga maji deri në tetor 2024, është rritur me 12 për qind në krahasim me vitin e kaluar, sipas të dhënave të DRV. Numri i pasagjerëve u rrit me gjashtë për qind. Për të gjithë vitin turistik, nga nëntori 2024 deri në tetor 2025, DRV parashikon rritje të të ardhurave prej 11 për qind dhe katër për qind më shumë pasagjerë.
Përveç kësaj, qytetarët gjermanë po prenotojnë pushimet e tyre verore më herët. “Rezervimi i hershëm është i preferuar,” thekson Fiebig për trendin në ndryshim.
Gjermanët po shpenzojnë më shumë se kurrë më parë për udhëtime
Gjermanët kanë shpenzuar tashmë shuma rekord për udhëtime vitin e kaluar, sipas analizave të institutit YouGov DRV. 83.4 miliardë euro janë shpenzuar për udhëtime të rezervuara paraprakisht, që është 5.6 për qind më shumë se një vit më parë.
Rritjen më të madhe këtë verë e shënojnë paketat për vendet e Mesdheut Lindor dhe udhëtimet në distanca të gjata. Sipas të dhënave të DRV, numri i rezervimeve të paketave për pushime është rritur me gjashtë për qind. Ndërsa destinacioni më i preferuar është Turqia, me të ardhura rreth 1.2 miliardë euro.
Përveç vendeve klasike të pushimeve si Spanja (gjithashtu rreth 1.2 miliardë euro të ardhura) dhe Greqia (1 miliard euro), në dhjetëshen e parë përfshihen gjithashtu destinacione më të përballueshme si Tunizia, Bullgaria dhe Egjipti.
“Në kohë sfiduese ekonomike, paratë nuk shpenzohen aq lehtë – dhe kjo reflektohet në zgjedhjen e destinacioneve të udhëtimit”, tha Fiebig.
Rekomandimet e “Insajderit” janë gjithnjë e më të rëndësishme
Sipas DRV, një nga destinacionet më të preferuara të mundshme të këtij viti është Shqipëria, që ishte edhe vend partner i panairit ITB, në Berlin. Shqipëria ka shënuar normën më të lartë të rritjes për verën, prej 36 për qind. Megjithatë, krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut, të ardhurat totale nga turizmi me këtë vend mbeten relativisht të ulëta.
Të dhënat bazohen në të ardhurat e agjencive tradicionale të udhëtimit dhe platformave të operatorëve turistikë online. Janë marrë parasysh të gjitha rezervimet deri në fund të janarit 2025, ndërsa nuk janë përfshirë rezervimet përmes call center, Booking dhe Airbnb.
Trendi i qëndrueshmërisë, në të cilin vendet turistike, përfshirë Kroacinë, kanë investuar shumë energji në vitet e fundit, duket se nuk luan ndonjë rol. “Vetëm një e pesta e turistëve janë të gatshëm të paguajnë më shumë për një udhëtim bazuar në parimin e qëndrueshmërisë”, sipas një studimi nga Klubi gjerman i automobilave ADAC, i publikuar në fillim të ITB. /DW
Të tjera nga Shqipëri
E-Diaspora
-
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë me datë 28 NËNTOR 2025 do të jetë në Garanë... -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë” -
Sot fillon afati 11-ditor për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës -
Shkollat Shqipe në Bavari festojnë me krenari 28 Nëntorin në Nürnberg -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë”
Jeta në Austri
-
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” Liga Shqiptare e Futbollit në Austri sjell sërish Turneun e Pavarësisë... -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti











