Lajme

Shkrimtarët shqiptarë prezantohen para publikut në Vjenë

Krijues shqiptarë prezantuan veprat e tyre në gjuhën shqipe dhe gjermane në një mbrëmje letrare në kryeqytetin austriak, duke sjellë më afër publikut vjenez letërsinë dhe kulturën shqiptare

Një mbrëmje e veçantë letrare kushtuar krijimtarisë shqiptare është mbajtur në Vjenë, ku shkrimtarë shqiptarë patën mundësinë të prezantojnë veprat e tyre para publikut në Austri.

Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Katolikë në Austri, ndërsa krijimet letrare u prezantuan në gjuhën shqipe dhe gjermane.

Para publikut u paraqitën krijuesit Gjergj Jozef Kola, Gabriela Mujaj, Besim Xhelili dhe Fitnete Bashota-Krasniqi, ndërsa e ftuar ishte edhe Lilla Binbrika.

Mbrëmja letrare u pasurua edhe me program artistik, ku Erseka Nekaj interpretoi në violinë, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë kulturor, transmeton albinfo.at.

Programin e drejtoi Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”.

Aktiviteti ishte një tjetër mundësi për promovimin e letërsisë shqipe në Austri dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet autorëve shqiptarë dhe institucioneve e krijuesve austriakë.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, e themeluar në vitin 2011, këtë vit shënon 15-vjetorin e veprimtarisë së saj. Gjatë kësaj periudhe ajo ka zhvilluar një numër të madh aktivitetesh kulturore e letrare, duke kontribuar në promovimin e autorëve shqiptarë dhe të letërsisë shqipe në Austri.

Sipas të dhënave të publikuara, gjatë 15 vjetëve të veprimtarisë janë organizuar më shumë se 80 orë letrare dhe promovime librash.

Lidhja ka zhvilluar gjithashtu bashkëpunime me institucione dhe organizata të ndryshme kulturore në Austri, përfshirë PEN Klubin e Austrisë dhe Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.

Aktivitete të tilla synojnë jo vetëm prezantimin e krijimtarisë së autorëve shqiptarë, por edhe forcimin e pranisë së kulturës dhe letërsisë shqipe në jetën kulturore të Austrisë.