Shkencëtarë nga ETH Zürich dhe Instituti Paul Scherrer (PSI) po përgatiten të studiojnë se si graviteti vepron mbi muoniumin, një atom ekzotik i përbërë nga një muon pozitiv dhe një elektron.
Ekipi ka arritur të krijojë një rreze muoniumi me intensitet dhe cilësi të lartë, duke e nxjerrë atë nga një shtresë e hollë heliumi superfluid, transmeton albinfo.ch.
Ky zhvillim pritet të mundësojë matjen e përshpejtimit gravitacional të muoniumit dhe, në këtë mënyrë, testimin e universalitetit të rënies së lirë. Ky parim, i lidhur me parimin e ekuivalencës së Ajnshtajnit, nënkupton se objektet duhet të bien në të njëjtën mënyrë nën ndikimin e gravitetit, pavarësisht përbërjes së tyre.
Muoniumi është veçanërisht interesant për studiuesit, pasi masa e tij dominohet nga muoni pozitiv, i cili është një grimcë antimaterie dhe i përket gjeneratës së dytë të grimcave elementare. Deri më tani, universaliteti i rënies së lirë nuk është testuar drejtpërdrejt me një sistem të tillë.
Sipas studiuesve, rrezja e re e muoniumit pritet të mundësojë matjen e përshpejtimit të tij gravitacional me saktësi në nivel përqindjeje. Hapi i ardhshëm është zhvillimi i aparaturës që do të përdoret për matjen e efektit të gravitetit. Nëse gjithçka shkon sipas planit, eksperimenti i gravitetit pritet të realizohet brenda dy ose tre vjetësh.
Rezultatet nuk nënkuptojnë se teoria e Ajnshtajnit është vënë në dyshim, por krijojnë mundësinë që një prej parimeve të saj themelore të testohet në një sistem ku një matje e tillë direkte nuk ka qenë e realizueshme më parë.