Kosova

Shefi i ushtrisë kroate viziton Kosovën

 Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë, gjenerali Mirko Shundov, do të vizitojë nesër Ministrinë e Mbrojtjes të Kosovës. 

Ai me këtë rast do të pritet me ceremoni ushtarake, pas së cilës do të ketë takime të ndara me kreun e FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe ministrin e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, Rrustem Berisha. 

Gjatë ditës shefi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë viziton Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, shkruan mediat, përcjell albinfo.ch. 

Kjo është vizita e parë e shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kroacisë, pas transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës.