Lajme

Senati zviceran kundër zgjerimit të orarit të dyqaneve të dielave

Propozimi për hapjen e dyqaneve 12 të dieleve në vit nuk kalon në Senat, rregulli aktual me katër të diele mbetet në fuqi.

Senati i Zvicrës ka refuzuar një propozim që do t’u lejonte dyqaneve të hapeshin deri në 12 të diele në vit, në vend të katër të dielave që lejohen aktualisht, transmeton albinfo.ch.

Pas debatit të zhvilluar të martën, senatorët votuan me 22 vota kundër, 21 pro dhe një abstenim për të mos shqyrtuar draftin e paraqitur nga Komisioni për Çështje Ekonomike dhe Tatimore. Vendimtare rezultoi mbështetja e ashtuquajturës “aleancë e së dielës”, e përbërë nga përfaqësues të Partisë Socialdemokrate, Partisë së Gjelbër, Partisë së Qendrës dhe Partisë Popullore Zvicerane.

Çështja tani do t’i kalojë për shqyrtim Dhomës së Përfaqësuesve.

Debati për liberalizimin e orareve të hapjes së dyqaneve është rikthyer vazhdimisht në agjendën politike zvicerane. Nga e hëna deri të shtunën, rregullimi i orareve të punës së dyqaneve është kompetencë e kantoneve, ndërsa për të dielat zbatohen dispozitat e legjislacionit federal, veçanërisht Ligji i Punës.

Sipas rregullave aktuale, komunat dhe kantonet mund të autorizojnë deri në katër të diele në vit për shitje pa leje të veçantë. Pas votimit në Senat, ky kufizim do të mbetet në fuqi, të paktën për momentin.

Debati mbetet i hapur, pasi mbështetësit e ndryshimit argumentojnë se oraret më fleksibile do të ndihmonin ekonominë dhe tregtinë, ndërsa kundërshtarët theksojnë rëndësinë e ruajtjes së së dielës si ditë pushimi për punëtorët dhe familjet e tyre./Albinfo.ch