Lajme

Rritet presioni ndaj Zvicrës për t’iu bashkuar programit evropian për monitorimin e zjarreve

Teksa zjarret pyjore po përhapen në shumë vende të Evropës, presioni politik ndaj autoriteteve zvicerane po shtohet që vendi të bëhet pjesë e programit evropian Copernicus, i cili u mundëson shkencëtarëve monitorimin në kohë reale të zjarreve dhe fenomeneve të tjera mjedisore në mbarë botën.

Zvicra ka refuzuar disa herë pjesëmarrjen në këtë program të vëzhgimit të Tokës, por debati është rikthyer fuqishëm pas valës së fundit të zjarreve në Evropë. Në muajin qershor, Këshilli Kombëtar kërkoi që vendi të përfshihej në programin Copernicus.

Anëtari i Partisë së Gjelbër në Këshillin e Shteteve, Fabien Fivaz, vlerëson se mosanëtarësimi mund të ketë pasoja për Zvicrën në të ardhmen.

“Për momentin jemi relativisht të mbrojtur, por e dimë se në muajt apo vitet e ardhshme mund të përballemi me situata të vështira për shkak të zjarreve pyjore. Ky është një mjet që do t’i mundësonte Zvicrës jo vetëm menaxhimin e pasojave të zjarreve, por edhe monitorimin e vazhdueshëm të tyre”, deklaroi ai për transmetuesin publik RTS.

Aktualisht, Zyra Federale për Mjedisin ka qasje vetëm në të dhënat bazë të Copernicus-it dhe jo në informacionet në kohë reale. Gjithashtu, Zvicra nuk mund të aktivizojë vetë shërbimet operative të programit dhe nuk ka mundësi bashkëpunimi të drejtpërdrejtë me ekipet shkencore të tij.

Qeveria zvicerane e arsyeton mosanëtarësimin me koston financiare. Sipas ministrit federal të Energjisë dhe Mjedisit, Albert Rösti, pjesëmarrja në program do t’i kushtonte Zvicrës rreth 48 milionë franga në vit.

Megjithatë, disa deputetë kanë theksuar rëndësinë strategjike të Copernicus-it dhe nevojën që Zvicra të kontribuojë financiarisht për të përfituar nga shërbimet e tij.

Këshilli Federal planifikon ta rishqyrtojë çështjen në vitin 2032, por presioni politik mund të bëjë që vendimi të merret më herët. Këshilli i Shteteve pritet të vendosë deri në fillim të vitit të ardhshëm nëse do t’i kërkojë qeverisë që Zvicra t’i bashkohet programit sa më shpejt.