Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një moment nga ceremonia e betimit të Justina Shiroka-Pulës si presidente e Republikës së Kosovës, transmeton albinfo.ch.
Ora ka publikuar një video nga ceremonia, në të cilën shihet momenti kur Shiroka-Pula bën betimin si presidente e re e vendit.
Postimi nuk është shoqëruar me ndonjë përshkrim apo koment nga këngëtarja, ndërsa videoja është publikuar drejtpërdrejt në llogarinë e saj në Instagram.
Nuk është hera e parë që Rita Ora reagon apo ndan me ndjekësit e saj zhvillime që lidhen me Kosovën.
Më herët, më 16 shtator, ajo kishte reaguar edhe lidhur me ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ditën kur u shpallën aktgjykimet ndaj tyre nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Me ndarjen e pamjeve nga ceremonia presidenciale, Rita Ora ka sjellë sërish në vëmendjen e ndjekësve të saj një nga momentet e rëndësishme institucionale të Kosovës./Albinfo.ch