Muzikë

Rita Ora elektrizoi skenën në Vjenë me hitet e saj botërore

Këngëtarja me prejardhje shqiptare performoi në festivalin Donauinsel Open Air, para mijëra adhuruesve në kryeqytetin austriak.

Këngëtarja me famë botërore dhe prejardhje shqiptare, Rita Ora, elektrizoi mbrëmjen e së enjtes skenën e festivalit Donauinsel Open Air në Vjenë, duke dhuruar një performancë plot energji para mijëra adhuruesve, transmeton albinfo.at.

Artistja u ngjit në skenë në orën 20:45, ku interpretoi disa nga hitet e saj më të njohura ndërkombëtare, përfshirë “Anywhere” dhe “Let You Love Me”, të cilat u kënduan njëzëri nga publiku.

Koncerti ishte një nga ngjarjet muzikore më të rëndësishme të kësaj vere në kryeqytetin austriak, duke mbledhur mijëra spektatorë në ishullin Donauinsel.

Para performancës së Rita Orës, publiku pati mundësinë të shijojë interpretimet e artistëve Miroh, Kayla Krystin, Milow dhe Leony, të cilët ngrohën atmosferën përpara ngjitjes së yllit shqiptar në skenë.

Me performancën e saj dinamike dhe repertorin e suksesshëm, Rita Ora konfirmoi edhe një herë statusin e saj si një nga artistet më të njohura shqiptare në arenën ndërkombëtare./Albinfo.at