Punëtorët nga vendet e Bashkimit Evropian dhe EFTA-së po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në disa nga sektorët kryesorë të ekonomisë zvicerane, sipas një raporti të publikuar nga Sekretariati Shtetëror për Çështjet Ekonomike (SECO), përcjell albinfo.ch.
Raporti tregon se sektorët e shëndetësisë, hotelerisë, ndërtimtarisë dhe industrisë prodhuese janë bërë shumë të varur nga rekrutimi i punëtorëve nga vendet e BE-së dhe EFTA-së.
Sipas të dhënave për vitin 2025, rreth 50 për qind e të punësuarve në industrinë kimike dhe farmaceutike vijnë nga këto vende. Po ashtu, 42 për qind e fuqisë punëtore në industrinë e orëve dhe në hoteleri janë shtetas të BE-së ose EFTA-së, ndërsa në sektorin e ndërtimit kjo përqindje arrin në 34 për qind.
Në anën tjetër, sektori i arsimit dhe administrata publike vazhdojnë të mbështeten kryesisht te punonjësit me shtetësi zvicerane.
Sipas SECO-s, gjatë viteve të fundit është thelluar ndarja e tregut të punës mes punëtorëve vendas dhe atyre të huaj. Emigrantët janë gjithnjë e më të pranishëm në sektorët me rritje të shpejtë dhe me intensitet të lartë njohurish, por njëkohësisht edhe në profesionet që karakterizohen nga kushte më të vështira pune dhe pasiguri më e madhe në punësim.
Raporti nënvizon se kjo prirje pasqyron nevojat e ekonomisë zvicerane për fuqi punëtore të kualifikuar, por edhe varësinë e saj nga punëtorët e huaj në disa sektorë kyç. /Albinfo.ch