Qiramarrësit në Zvicër mund të kenë së shpejti më shumë të drejta për instalimin e pikave të mbushjes për automjetet elektrike në ndërtesat ku banojnë.
Aktualisht, mungesa e stacioneve të karikimit paraqet një problem të madh për pronarët e veturave elektrike, pasi ata kanë pak mundësi për t’i detyruar pronarët e objekteve të investojnë në këtë infrastrukturë, transmeton albinfo.ch.
Për të adresuar këtë çështje, Këshilli Federal ka dërguar për konsultim publik një projekt-ndryshim të Ligjit për Energjinë. Sipas propozimit, pronarët e ndërtesave banesore do të detyroheshin të instalojnë infrastrukturën bazë të karikimit nëse një kërkesë e tillë bëhet nga qiramarrësit.
Autoritetet argumentojnë se masa do të ndihmojë në përshpejtimin e tranzicionit drejt transportit më të qëndrueshëm dhe do ta bëjë më të lehtë përdorimin e automjeteve elektrike për mijëra banorë në mbarë Zvicrën.
Nëse miratohet, ndryshimi do të shënojë një hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të karikimit dhe promovimin e mobilitetit elektrik në vend.