Lajme

Protestë në Graz më 27 shtator kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale

Tubimi është paralajmëruar për të dielën në Hauptplatz të Grazit, duke filluar nga ora 12:00, ndërsa organizatorët kundërshtojnë vendimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Një protestë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është paralajmëruar të mbahet më 27 shtator në Graz të Austrisë, transmeton albinfo.at.

Sipas njoftimit të publikuar nga organizatorët, protesta do të zhvillohet në Hauptplatz 15, duke filluar nga ora 12:00. Në posterin e protestës figuron thirrja “Protest kundër vendimit të gjykatës” dhe “Jo në emrin tim”.

Tubimi është pjesë e reagimeve të mërgatës shqiptare pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Organizatorët u kanë bërë thirrje shqiptarëve në Graz dhe rrethinë që t’i bashkohen protestës.

Ndërkohë, për 27 shtator në Graz janë paralajmëruar edhe aktivitete të tjera publike në qendër të qytetit, përfshirë aktivitetet e “Ditës së Feve”, të cilat zhvillohen në lokacione të ndryshme nga ora 13:00. /Albinfo.at