Në Prishtinë është paralajmëruar për të gjashtën ditë radhazi protesta për vrasjen e Arlinda Zekajt, me kërkesën për drejtësi dhe përgjegjësi nga institucionet që dyshohet se kanë dështuar në mbrojtjen e saj, përcjell albinfo.ch.
Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, është caktuar të nisë sot, më 2 nëntor, në orën 17:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje qytetare, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë derisa të përmbushen kërkesat për drejtësi për Arlindën dhe gratë e tjera të vrara, si dhe për siguri më të madhe për gratë që përballen me dhunë.
Ndër kërkesat kryesore është që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare, si dhe shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu hetimin dhe ndjekjen penale të zyrtarëve që dyshohet se kanë neglizhuar rastin e Arlinda Zekajt.
Përgjegjësi kërkohet edhe nga institucionet e drejtësisë, Policia dhe Qendra për Punë Sociale, nëse vërtetohet se nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për mbrojtjen e viktimës.
Në mesin e kërkesave është edhe sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, si dhe krijimi i mekanizmave më efektivë për mbrojtjen e grave të rrezikuara.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj.
Rasti ka shkaktuar reagime të shumta, pasi viktima kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet përgjegjëse.
Protesta dhe marshime për drejtësi janë organizuar edhe në Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Istog, ndërsa organizatorët paralajmërojnë se mobilizimi qytetar do të vazhdojë.