Kosova

Prishtinë: PDK dhe LVV nuk e mbështesin tarifën 2 euro për hyrje në qendër

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës sot është diskutuar Rregullorja për Tarifa e kryeqytetit, e cila përfshin edhe vendosjen e tarifës prej 2 eurosh për veturat që futen brenda zonës “Qendër”.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk e mbështet vendosjen e tarifës dhe ka kërkuar ndryshimin e rregullores.

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Inovacionit në Komunën e  Prishtinës, Luftar Braha, e ka mbrojtur propozimin për vendosjen e taksës duke thënë se këtë kufizim e kanë bërë 600 qytete në botë, duke marre si shembull kryeqytetin e Sllovenisë e Shqipërisë teksa theksoi se veturat mund të kenë qasje në parkingun e Pallatit të Rinisë pa u tarifuar, transmeton albinfo.ch.

Nga Lëvizja Vetëvendosje po ashtu kundërshtohet kjo tarifë, pasi konsiderohet se krijimi i një zone të tillë “e ngulfat edhe më shumë qytetin”.

Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kërkuan ndryshime, duke propozuar nga tarifa të lirohen të gjithë qytetarët e Prishtinës, jo vetëm ata që banojnë brenda zonës së qendrës.

Nga Lidhja për Prishtinën u propozua që targat e qytetit të Prishtinës të ndërrohen nga 01 me numrin identifikues 10 kështu do të mund të identifikoheshin saktë banorët e Prishtinës nga ata të komunave përreth që mbajnë numrin 01 dhe nuk do të kishte nevojë për kufizime për banorët e Prishtinës.