Kosova
PDK i bën thirrje Qeverisë: Të dërgohet sa më parë në Kuvend ligji për Specialen
Kusari-Lila: Së pari të zgjidhet presidenti, e më pas të procedohet Ligji për Dhomat e Specializuara
PDK kërkon urgjencë për ndryshimin e Ligjit për Specialen, Kusari-Lila kërkon konsensus për presidentin, përcjell albinfo.ch.
Arian Tahiri kërkoi që Qeveria ta procedojë sa më shpejt projektligjin në Kuvend, ndërsa Mimoza Kusari-Lila tha se partitë duhet fillimisht të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit para 6 tetorit.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga Qeveria që me urgjencë ta trajtojë dhe ta procedojë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Nisma ligjore, e iniciuar nga PDK-ja, është dërguar për mendim në Qeveri më 25 shtator, ndërsa më 28 shtator shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arian Tahiri, kërkoi që ajo të kthehet sa më shpejt në Kuvend për shqyrtim dhe votim.
Në një konferencë për media, Tahiri tha se Kuvendi tashmë e ka shprehur vullnetin e tij përmes deklaratës së miratuar më 28 shtator lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të 16 shtatorit.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të nisë pa vonesë procedurat për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Qeveria e Kosovës nuk duhet të guxojë ta zvarrisë këtë proces”, tha Tahiri.
Ai kërkoi gjithashtu mbështetje institucionale dhe financiare për ekipet mbrojtëse të të akuzuarve në Hagë dhe u bëri thirrje partive politike për, siç tha, maturi dhe përgjegjësi.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se ndryshimet e propozuara, sipas tij, nuk cenojnë detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të Kosovës. Ai argumentoi se projektligji synon të krijojë mundësi për trajtimin e çështjeve të caktuara juridike brenda sistemit të Kosovës.
Sipas Radio Evropës së Lirë, projektligji i dorëzuar nga PDK-ja parasheh ndër të tjera që dënimi maksimal të jetë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.
Kusari-Lila: Fillimisht konsensus për presidentin
Në anën tjetër, Mimoza Kusari-Lila, kryetare e Alternativës dhe ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka kërkuar që partitë politike fillimisht të arrijnë një marrëveshje për një kandidat konsensual për president.
Ajo tha se zgjedhja e presidentit duhet të bëhet para 6 tetorit, duke e lidhur këtë afat me nevojën për shmangien e një procesi të ri zgjedhor.
“Emëruesi i përbashkët duhet të jetë që të evitohen zgjedhjet”, tha Kusari-Lila, duke shtuar se pas arritjes së një konsensusi për presidentin, partitë duhet të bashkëpunojnë edhe për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe mbështetjen e ekipeve mbrojtëse në Hagë.
Ajo theksoi gjithashtu se afatet për ankesat ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara janë të shkurtra dhe se, sipas saj, institucionet duhet të veprojnë pa vonesa.
Kuvendi miratoi deklaratën me 99 vota
Një ditë para kërkesës së re të PDK-së, më 28 shtator, Kuvendi i Kosovës miratoi me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të 16 shtatorit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Deklarata ishte harmonizuar nga grupet parlamentare të Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Grupit Multietnik.
Tash, çështja e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara mbetet në procedurën e shqyrtimit nga Qeveria, përpara se të mund të rikthehet në Kuvend për procedurat e mëtejshme parlamentare./Albinfo.ch
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Austri
Lehtësohet konvertimi i patentave të Kosovës në Austri Ndryshojnë rregullat për patentat e Kosovës në Austri... -
Itali
Kopshti i ri në Montevarchi merr emrin e Nënë Terezës -
Gjeneva sot kuq e zi: Shqiptarët protestojnë kundër vendimit të Gjykatës Speciale -
Bie numri i kosovarëve që punojnë në Slloveni -
Rame Lahaj nis në Cyrih turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”
Jeta në Austri
-
Austri
Lehtësohet konvertimi i patentave të Kosovës në Austri Ndryshojnë rregullat për patentat e Kosovës në Austri... -
Formacionet e Austrisë dhe Kosovës për ndeshjen e sotme -
Trajneri i Austrisë: “Na pret një ndeshje e vështirë ndaj Kosovës” -
Masa të rrepta sigurie për ndeshjen Austri–Kosovë në Vjenë -
DHL i rrit çmimet në Austri me 5,4 për qind











