Integrimi

Pastori Zerai, njeriu që u jep zë “të pazëshmëve”

Pastori Fr. Mussie Zerai, përgjegjës për Komunitetin Katolik Etiopian në Zvicër në intervistën dhënë albifo.ch thotë: „Konflikti në Lindjen e Mesme, i motivuar nga dëshira për pushtet dhe kontroll të burimeve natyrore“

I lindur në Eritrea, i shkolluar në Itali dhe aktiv në Zvicër, është ky Fr. Mussie Zerai, pastori i krishterë, i cili u largua nga Eritrea në moshën 16 vjeçare, për të vazhduar jetën në Itali dhe më pas në Zvicër, ku ushtron aktivitetin e tij fetar dhe human edhe sot e kësaj dite.  Në intervistën e zhvilluar ekas për albinfo.ch, Fr. Zerai flet për jetën e tij, punën që ai bën dhe njëkohësisht paraqet opinionin e tij mbi situatën kritike me refugjatët në mbarë botën. Është bërë i njohur me agjensinë e tij, Habeshia, e cila njihet si zëri i të pazëshmëve. Një numër telefoni është në dispozicion të qindra refugjatëve eritreas, të cilët lundrojnë në detin e hapur. Zerai vazhdon të mbetet shpresa e këtyre njerëzve edhe në momentet më të vështira të jetës së tyre.

Albinfo.ch: A mund të na thoni diçka për jetën tuaj, arsimim dhe punën?

Fr. Mussie Zerai: Unë kam lindur në Eritrea në vitin 1975, atje jam shkulluar dhe kam qëndruar deri në moshën 16 vjçare. Më pas jam vendosur në Itali, ku kam punuar dhe studiuar. Që nga viti 1995, kam filluar t`u vij në ndihmë refugjatëve që vinin nga Briri i Afrikës. Në vitin 2000 kam filluar studimet në filozofi dhe teologji. Më vonë, në vitin 2010 jam shuguruar si prift, dhe një vit më pas, jam caktuar përgjegjës për Komunitetin Katolik Etiopian dhe Klerikët Eritreanë. Nga viti 2014 ushtroj detyrën e koordinatorit të Bashkësisë Katolike të klerikëve Eritreanë, në nivel evropian. Agjencinë Habeshia, e kam themeluar në vitin 2006, e cial ndryshe njihet si zëri i të pazëshmëve.

Albinfo.ch: “Ky prift shpëton jetën nga distanca, me telefonin celular”.  Ishte ky konstatimi i një gazetari zviceran, me rastin e një interviste që kishte zhvilluar me ju. Do të doja t`ua thoni lexuesëve tanë, se si funksionon kjo?

Fr. Mussie Zerai: Që nga viti 2003, kam filluar të marr thirrje për ndihmë, prej njerëzve që lundronin me anije e barka në Detin Mesdhe. Nga telefonatat filloj të mbledh informacione për numrin e njerëzve që janë në bord. I pyes për gjendjen shëndetësore, sa nga ata janë fëmijë, gra dhe nëse eventualisht ka ndonjë grua shtatëzënë. Çdo informacion është i rëndësishëm, pyes për anijen, llojin e saj, vendin ku ajo gjendet, pra koordinatat edhe pse shpesh ndodh që anijet të mos i drejtojnë ekspertë me përvojë dhe si rezultat i kësaj ata nuk dinë se ku gjenden. Shpesh herë njerëzit janë në panik, raste këto të cilët e vështirësojnë edhe më shumë gjendjen e tyre. Më pas, informacionin e mbledhur me vështirësi, ua kaloj Rojeve bregdetare Italiane. Ua dorëzoj dhe ndonjë numër telefoni nga i cili kam marrë lajmin SOS dhe kërkoj që t`i ndihmojnë këta njerëz në nevojë.

Albinfo.ch: Mund të themi se ju jeni transformuar, në „ikonën e shpëtimtarit“. A keni pasur vështirësi të mbërrini deri këtu?
Fr. Mussie Zerai: Unë nuk e kam ndjerë veten asnjëherë si ikonë ose shpëtimtar, unë i di limitet e mia, por unë jam i sigurt se zëri im paraqet një shenjë shprese për shumë njerëz dhe një shembull të solidaritetit. Kjo është detyra ime si njeri, si i krishterë dhe si prift. Përndryshe unë do të isha në një krizë serioze me ndërgjegjen time, me besimin tim dhe me shërbesën time. Çfarë njeriu do të isha nëse nuk kujdesem për ata që vuajnë, ata që u larguan dhe që kërkojnë mbrojtje? A mund të jetë i këtillë një i krishterë i cili predikon!?

Albinfo.ch: Çdo ditë dhe më shumë njerëz largohen nga Afrika për në Evropë. Ku i shihni shkaqet për këtë gjendje?

Fr. Mussie Zerai: Këta njerëz vijnë për të kërkuar drejtësi, për t`u trajtuar drejtë dhe me dinjitet. Atje luftohet me armë perëndimore, për interesa të vendeve perëndimore. Evropa dhe SHBA janë të gatshme të sakrifikojnë jetët e miliona njerëzve, në mënyrë që të kenë përfitimiet e tyre politiko-ushtarake dhe ekonomike. Si rezultat i kësaj që u tha, sot kemi miliona refugjatë anembanë botës. Ne kemi një OKB, e cila është paralizuar nga vetot. Ajo nuk mund të ndërhyjë dhe të vendosë drejtësi. Ne kemi nevojë për një OKB të reformuar rrënjësisht, e cila  do të bëhej një arbitër neutral në këtë botë, ku të fortët shkelin të dobëtit. Kjo duhet të ndryshojë, me një  ndryshim revolucionar.

Albinfo.ch: Duket se shumë prej konflikteve në Lindjen e Mesme, janë pasojë të politikave destruktive. A mendoni se besimet e ndryshme, luajnë një rol negativ në situata të tilla?

Fr. Mussie Zerai: Në të gjitha këto konflikte feja është shfrytëzuar padrejtësisht. Konflikti në Lindjen e Mesme është i motivuar vetëm nga dëshira për pushtet dhe kontroll të burimeve natyrore. Politika e vjetër e “përçaj dhe sundo” është rezultat i ndërhyrjeve të jashtme që synojnë resurset e këtyre shteteve.

Albinfo.ch: A besoni në një botë pa konflikte?

Fr. Mussie Zerai: Bota pa konflikte është e mundur. Bëhet e mundur atëherë kur të gjithë ne do të përpiqemi për tu bërë agjentë të drejtësisë. Do të arrihet vetëm atëherë kur baza e raporteve ndërmjet popujve do të jetë drejtësia dhe solidariteti. Të gjitha problemet që kemi në botën tonë, janë rezultat i mungesës së drejtësisë në të gjitha aspektet e jetës. Masa e drejtësisë je ti:  “Duaje të afërmin tënd si veten” çfarë është e mirë për ty, është e mirë edhe për tjerët, pra bëje atë, jepe atë, ndaje atë. Çfarë është e keqe për ty, është e keqe edhe për tjerët, pra mos e bëj atë.

Nuk ndjehem si “ikonë”, bëj vetëm punën time si prift
Unë nuk e kam ndjerë veten asnjëherë si ikonë ose shpëtimtar, unë i di limitet e mia, por unë jam i sigurt se zëri im paraqet një shenjë shprese për shumë njerëz dhe një shembull të solidaritetit. Kjo është detyra ime si njeri, si i krishterë dhe si prift. Përndryshe unë do të isha në një krizë serioze me ndërgjegjen time, me besimin tim dhe me shërbesën time. Çfarë njeriu do të isha nëse nuk kujdesem për ata që vuajnë, ata që u larguan dhe që kërkojnë mbrojtje? A mund të jetë i këtillë një i krishterë i cili predikon!?