Evisa Pacolli po përfaqëson Kosovën në konkursin ndërkombëtar të bukurisë “Miss Universe”, duke u bërë pjesë e një skene ku, përmes paraqitjes së saj, prezanton edhe prejardhjen dhe identitetin shqiptar.
E lindur dhe e rritur në Kanada, Evisa është pjesë e gjeneratës së re të diasporës shqiptare, e cila, krahas zhvillimit në vendet ku jeton, ruan lidhjen me rrënjët dhe traditat familjare, shkruan albinfo.ch.
Një dimension të veçantë paraqitjes së saj i jep edhe kostumi kombëtar, përmes të cilit përcillet një mesazh për historinë, qëndresën, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Për familjen Pacolli, kjo përvojë përfaqëson shumë më tepër sesa një garë bukurie. Babai i saj, Ridvan Pacolli, ka ndarë një mesazh emocionues, duke shprehur krenarinë për të bijën dhe duke theksuar se vlerat dhe karakteri i saj kanë më shumë rëndësi sesa rezultati i konkursit, shkruan tutje albinfo.ch.
“Ti ke lindur dhe je rritur në Kanada, por kurrë nuk e ke harruar se nga vijmë, cilat janë rrënjët tona dhe traditat e vlerat që familja jonë i ka bartur ndër breza”, shkruan ai.
Ai thekson se, pavarësisht vendimit të jurisë, për të Evisa mbetet gjithmonë numri një, ndërsa asnjë rezultat nuk mund ta zbehë krenarinë për rrugëtimin dhe personin që ajo është bërë.
Përtej garës, përfaqësimi i Evisës ka domethënie edhe për komunitetin shqiptar në Kanada dhe më gjerë, duke sjellë në vëmendje lidhjen e brezave të rinj të diasporës me Kosovën dhe prejardhjen e tyre.
Për familjen Pacolli, kurora më e madhe mbetet vajza që kanë rritur dhe vlerat që ajo përfaqëson./Albinfo.ch
https://www.facebook.com/reel/2495862364488118
